Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, ka bërë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme, deri në mesnatë, janë rinumëruar 213 kuti votimi.

 

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka njoftuar se me këtë ritëm është përmbyllur procesi i rinumërimit në 19 komuna, ndërsa në 19 komunat e tjera janë rinumëruar rreth 15 për qind e kutive të votimit.

Ai ka vlerësuar lart angazhimin e stafit të KQZ-së në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke e cilësuar atë si një angazhim të jashtëzakonshëm.

“Një angazhim i jashtëzakonshëm i stafit të KQZ në QNR”, ka shkruar Krasniqi. 

Ndërkaq zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për RTKlive ka bërë të ditur se deri në ora 16:00 e ditës së enjte, janë rinumëruar rreth 45 për qind e vendvotimeve, apo 1142 nga 2557 sa janë në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.  Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 22 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar rreth 45% apo 1,142 nga 2,557 vendvotime”, ka thënë ai.

Gjatë rinumërimit janë vërejtur gabime të shumta që janë lëshuar në të gjitha partitë politike në QNR-të.