Një gyp uji ka shpërthyer në Klinikën e Oftalmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Por, sipas zëdhënës së këtij institucioni shëndetësor, Mirlinda Qyqalla, shpejt ka intervenuar shërbimi teknik që ka sanuar problemin dhe, sipas saj, sallat e operacionit janë funksionale dhe ndërhyrjet kirurgjikale po kryhen sipas planit.
“Në Klinikën e Oftalmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka ndodhur një defekt teknik, si pasojë e shpërthimit të një gypi të ujit. Menjëherë pas njoftimit, ekipi i shërbimeve teknike të QKUK-së ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka intervenuar me kohë, duke e sanuar plotësisht problemin. Klinika e Oftalmologjisë na njofton se tri sallat e operacionit janë funksionale dhe po kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale sipas planit dhe rregullit të zakonshëm”, tha Qyqalla për RTKlive.
Zëdhënësja e QKUK-së tha se shërbimet shëndetësore për pacientët janë duke vazhduar, pa pengesa dhe situata, tha ajo, është nën kontroll të plotë.




