Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në dhjetor 2025 arriti vlerën 79.4 milionë euro, ndërsa importi 636.9 milionë euro, duke bërë që eksporti të mbulojë importin me 12.5 për qind. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, eksporti shënoi rritje prej 14.1 për qind, ndërsa importi u rrit për 0.9 për qind.

Sa i përket strukturës së eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre (18.1%), pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (15.1%), produktet minerale (14.4%), plastika dhe goma (10.7%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (9.2%).

Ndërkohë, importet dominohen nga mjetet e transportit (13.6%), makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike (13.3%), ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (12.9%), produktet minerale (12.3%) dhe metalet bazë (8.9%).

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 23.5 milionë euro, apo 29.5 për qind të eksporteve totale, duke shënuar një rënie prej 0.81 për qind. Partnerët kryesorë për eksport ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.

Ndërsa importet nga vendet e BE-së kapën vlerën e 283.2 milionë eurove, ose 44.5 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5 për qind, ku në krye qëndrojnë Gjermania, Italia dhe Polonia.