109 persona janë të ndaluar për veprat penale të falsifikimit të rezultateve dhe për presion e për dhënie e marrje të ryshfetit, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në konferencë për media pas operacionit policor lidhur me keqpërdorimin e votave në këtë komunë.
“Duhet ta dinë nga ky moment, nga kjo datë, edhe herëve të tjera që kushdo që guxon t’i futë duart në vullnetin e qytetarëve do të ballafaqohen me forcën e ligjit, njëjtë siç po ballafaqohen sot një pjesë e madhe”, tha Kryeziu i cili paralajmëroi se nuk ka përfunduar gjithçka me numrin e këtyre të arrestuarve.
Kryeziu tha se nuk bëhet fjalë për dhjetëra e për qindra vota të manipuluara, por për mijëra vota të falsifikuara.
“Pra bëhet fjalë për kandidatë deri mbi 6 mijë vota të falsifikuara, bëhet fjalë edhe për situata kur vetëm në një vendvotim, numri i manipuluar ka shkuar deri në 2, 444 vota, vetëm praktikisht në një klasë janë manipuluar, 2,444 vota, përderisa mund ta them se në regjionin tonë ato që janë numëruar nga subjektet politike në QKN është vetëm një klasë që ka dalë e pa keqpërdorur. Për ta pasur edhe më të qartë po flasim për Komunën e Prizrenit që janë shtuar hiq më pak se 40, 497 vota dhe janë hequr hiq më pas se 27, 520 vota. Pra diferenca totale e keqpërdorimeve është 68, 017 vota, po flasim për një organizim, po flasim për dashje direkte për ta përmbytur rezultatin e po flasim edhe për përmbytje të vullnetit të qytetarëve”, tha kryeprokurori Kryeziu.
Ai tha se do të ishte e pamundur të ndryshoheshin gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të të gjithë komisionierëve, atyre qetha se kanë qenë të deleguar nga katër partitë më të mëdha.
Luan Ibrahimi, kapiten dhe zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, ka deklaruar se falë bashkëpunimit ndërinstitucional është mundësuar arrestimi i të gjithë të dyshuarve lidhur me rastin e vjedhjes së votave.
“Në përkrahje të vazhdueshme prej Prokurorisë Themelore, ne kemi arritur të arrestojmë, intervistojmë e ndalojmë një numër jashtëzakonisht të madh, që mund të konsiderohet një nga operacionet me numrin më të madh të të ndaluarve. Priten edhe identifikimi i personave të tjerë në vazhdimësi të hetimeve dhe edhe ata do të dalin para drejtësisë”, theksoi Ibrahimi.
Ndërkohë, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren, Faton Alija, ka bërë të ditur se policia rajonale ka asistuar në këtë rast me personel, hapësira dhe automjete.
“Nuk kemi asnjë person e zyrtar policor të lënduar, asnjë dëmtim të automjeteve. Deri në këto momente gjithçka ka shkuar në rregull. Ka pasur pyetje dhe interesime për hapësira të mundshme rreth sistemimit të personave të ndaluar. Në koordinim me Shërbimin Korrektues është gjetur hapësirë e mjaftueshme dhe të gjithë do të sistemohen siç janë paraparë me procedura penale”, deklaroi Alija.
Ndërsa kryeprokurori Kryeziu tha se deri tani nuk ka ndonjë kandidat për deputete të përfshirë në vjedhje votash.
“Deri në këtë fazë nuk kemi ndonjë informacion që e involvon drejtpërdrejtë ndonjë kandidat në ndërhyrje. Por unë besoj se edhe kandidatët do të dëgjohen në Prokurori. Në rast se nuk mund të sigurojmë prova në cilësi të të dyshuarve, padyshim se ne i kemi dëgjuar edhe deklaratat e tyre mediale, pa përjashtim nga subjektet politike, që ata ndjehen edhe të dëmtuar për shkak të imazhit. Besoj që Prokuroria do t’ia jep këtë mundësi t’i marrin së paku në cilësinë e të dëmtuarve”, deklaroi Kryeziu.
Kryeziu ka treguar se një prej komisionarëve ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë, dhe sot, nga ai, është zbuluar pjesa për marrje e dhënie ryshfeti.
“Me vetiniciativë kemi ndërmarrë veprime sepse shihej hapur se keqpërdorimet ishin duke ndodhur, ndërsa pjesa që ka të bëjë për dhënie e marrje të ryshfetit është zbuluar sot kur njëri prej komisonerëve ka vendosur të bashkëpunojë me Prokurorinë. Ata që janë të dyshuar dhe të pandehur mund të marrin edhe cilësinë e dëshmitarit.




