Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka bërë thirrje sot për reformim të menjëhershëm të degës së partisë në Podujevë.
Në një postim në Facebook, Veliu ka vlerësuar se Dega e Podujevës ndodhet në një krizë të thellë, e reflektuar përmes humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore dhe humbjes së besimit të anëtarësisë ndaj udhëheqjes aktuale.
Sipas tij, për më shumë se tri dekada Dega e LDK-së në Podujevë ka qenë shembull i organizimit dhe suksesit politik, ndërsa zhvillimet e viteve të fundit janë pasojë e vendimeve të imponuara dhe mungesës së demokracisë së brendshme.
Ai thekson se pas ndryshimeve në udhëheqje, Degës i janë imponuar vendime kundërstatutore dhe pa legjitimitet, gjë që ka sjellë humbje elektorale, demotivim dhe largim të anëtarësisë. Për herë të parë, sipas tij, LDK-ja në Podujevë ka mbetur pa përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.
“Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë”, ka shkruar Veliu.
Sipas tij, në këtë situatë janë të domosdoshme të ndërmerren disa veprime .
“Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme, hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale, zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura, rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit”, ka shkruar Veliu duke shtuar se partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogë dhe sipas tij ,kjo thirrje është për shpëtim politik të LDK-së.




