Ambasada e Kosovës në Shkup ka njoftuar se si pasojë e protestës së përbashkët të transportuesve nga rajoni, vazhdon të jetë i bllokuar trafiku i mallrave drejt dhe nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, përjashtim nga bllokada bëjnë vetëm produktet ushqimore dhe mallrat e ndjeshme, ndërsa protesta lidhet me shqetësimet e transportuesve për zbatimin e Sistemit Evropian të Hyrje-Daljes (EES) në Zonën Schengen. Protesta pritet të zgjasë të paktën shtatë ditë.
Ambasada bën të ditur se trafiku i automjeteve private po zhvillohet normalisht, ndërkohë që disa transportues të kompanive kosovare janë prekur nga bllokimi.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet relevante për të gjetur një zgjidhje eventuale,” thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.




