“Nga 18 kryesues e 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues e 43 komisionerë. 15 kryesues janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendosë për masën e sigurisë. Po ashtu, për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër lidhur me ndonjë masë eventuale, pasi që në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy prokurorë të Departamentit të Krimeve të Rënda. Deri më tani kemi mbledhur të gjitha provat materiale dhe personale kryesore, por hetimi do të vazhdojë”, ka deklaruar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, në një konferencë për media, duke informuar për hapat e ndërmarrë bashkë me Policinë e Kosovës.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, ka thënë se hetimet do të vazhdojnë deri në vënien para drejtësisë të personit të fundit të përfshirë në manipulime.

“Zgjedhjet nuk janë thjesht një ushtrim procedural, por një obligim qytetar. Ato janë gurthemeli i demokracisë. Gjatë procesit të fundit zgjedhor, unë bashkë me ekipin tim kemi monitoruar parregullsi që u shfaqën pas përfundimit të zgjedhjeve. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara janë kryer arrestime, duke përfshirë individë që kanë qenë komisionerë. Le të jemi të qartë, asnjë individ, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk qëndron mbi ligjin. Prokurori i shtetit ka demonstruar paanshmëri dhe guxim institucional në adresimin e këtyre veprave. Kur ligji zbatohet në mënyrë të vazhdueshme ndaj të gjithë manipuluesve të votave, do të na inkurajojë që të vazhdojmë punën tonë, e cila nuk do të përfundojë deri në gjetjen e personit të fundit që ka bërë këtë manipulim”, ka shtuar Pula.

Ajo ka thënë se do të kërkojnë dënim maksimal për personat e përfshirë, e që është 5 vite burgim.

“Dënimi maksimal në rastin konkret të veprës penale parashihet deri në 5 vite burgim. Se a do të kërkojmë, padyshim që do ta kërkojmë dënimin maksimal. Nuk është në dorën tonë t’i gjykojmë, por është të përpilojmë aktakuzën me elementin e dashjes, për të cilën konsideroj që në këto raste ka pasur dashje. Dhe në pakënaqësi të vendimeve gjyqësore të apelojmë me ankesa”, ka deklaruar ajo.

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Bekim Avdija tha se gjithsej në rast janë të përfshirë 68 persona. Ai njoftoi se kanë mbetur pa u intervistuar 3 kryesues dhe 7 komisionerë. “Shumë shpejt edhe ata do të intervistohen dhe do të procedohen sipas procedurave”, tha ai.

Në Komunën e Malishevës kanë qenë 75 vendvotime dhe nga këto, 9057 vota u janë shtuar kandidatëve të caktuar, derisa 7996 u janë hequr të tjerëve brenda subjekteve të njëjta politike. Ky është aksioni i dytë i ndërmarrë sa i përket manipulimeve me votat, pas Prizrenit që rezultoi 109 persona të arrestuar.