Një operacion policor në autostradën Doganaj–Kaçanik ka përfunduar me arrestimin e dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës na rajoni i Ferizajt në koordinim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe me ndihmën e njësisë së trafikut-autostradës, ndaluan mbrëmë një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, rreth orës 20:30, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve.
Gjatë kontrollit në veturë u gjetën dy persona meshkuj dhe u sekuestruan: 20 paketime me marihuanë, me peshë totale 6.4 kg; 6 paketime heroinë, me peshë 3.2 kg; dy telefona mobil; dhe vetura që përdorej për transportin e narkotikëve. Vlera e tregut të kësaj sasie llogaritet rreth 80,000 euro.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe, me aktvendim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë. Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa policia vazhdon hetimet për rastin.




