(E përditësuar, 13:22) Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen e tij para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, duke thënë se tani vendimi i takon atyre.
“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, ka deklaruar Abdixhiku.
“Nuk e bëj këtë për të krijuar krizë, por për ta sqaruar drejtimin që na duhet përpara. Nuk e bëj këtë për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar. Andaj ju pyes se çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar të kësaj partie dhe me të ardhmen e LDK-së. Çfarëdo vendimi që do ta merrni, do ta respektoj me dinjitet dhe me plot besim”, tha kreu i deritanishëm i LDK-së pas një fjalimi të gjatë.
(12:53) Abdixhiku: LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm-problem organizativ
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë tha se këtij subjekti politik i ka munguar solidariteti i brendshëm. Ai ka thënë se sipas tij, problemi qëndron te organizimi strukturor.
“LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm dhe pa këtë solidaritet do të ngrihemi për të rënë, siç na ndodhi në vitin 2025. I shtojmë 70 mijë vota, i humbin 45 mijë sosh dhe pastaj duhet të mbajmë përgjegjësi për numrin e votave që i kemi shtuar vet”, ka thënë ai.
“Si është e mundur që LDK të fitoj në zgjedhje lokale bindshëm dhe pesë javë më pas të reduktohet aq shumë në zgjedhje nacionale. A është faji te prijësi, ekipi, mesazhi apo te vet angazhimi i secilit? Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është shumë e lehtë, ndërrohet dhe vjen tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin të mbaj të njëjtën disiplinë, mobilizim, intensitet në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem organizativ”, ka thënë Abdixhiku, duke potencuar se në zgjedhje nacionale LDK ka më pak vota në çdo komunë të Kosovës, edhe në ato ku ka fituar ndër vite në zgjedhje lokale.
Abdxihiku ka thënë se demokracia kërkon shumicën dhe kontributin. Ai përmendi sfidat nëpër të cilat kanë kaluar gjatë fushatës zgjedhore, duke nënvizuar që ndër vite ka pasur përçarje të brendshme politike, si penguese e dukshme e zhvillimit të këtij subjekti.
“Për mua dhe për ju ajo natë nuk ishte vetëm një rezultat politik, ishte një pasqyrë ku pashë mundin, sakrificën e shumë njerëzve të mirë të pesë vjetëve të fundit teksa shembeshin para syve tonë dhe njëkohësisht pashë se sa vështirë është të mbash mbi supe pritjet e një partie që ka histori, plagë e mbi të gjitha që ka shpresë”, tha Abdixhiku, duke shtuar se përgjegjësia nuk ndahet me askënd.
Abdixhiku tha se pavarësisht shtimit të numrit të votave ka munguar entuziazmi dhe mirënjohja e strukturave për këtë rezultat.
(12:32) Nis Kuvendi i LDK-së, sot kuptohet e ardhmja e kryetarit
Ka nisur mbledhja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Delegatët e kësaj partie janë mbledhur pas rënies së votave për këtë subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Gjatë kësaj mbledhje do të bëhet e ditur nëse LDK do të udhëhiqet sërish nga kryetari aktual, Lumir Abdixhiku apo do të kërkohet largimi i tij.
Në ndërkohë para nisjes së mbledhjes, përfaqësuesit e këtij subjekti deklaruan për pozicionet e tyre karshi ndryshimit ose jo të kryetarit të tyre, Lumir Abdixhiku.




