Irani i ka shpallur ushtritë evropiane si “grupe terroriste”, njoftoi të dielën kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf , pasi Bashkimi Evropian e futi Trupën e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) në listën e “organizatave terroriste”.
“Sipas Nenit 7 të Ligjit për Kundërmasat në lidhje me përcaktimin e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike si një organizatë terroriste, ushtritë e vendeve evropiane konsiderohen grupe terroriste”, i tha Ghalibaf parlamentit.
“Duke u përpjekur të sulmojnë Gardën Revolucionare… evropianët në fakt e qëlluan veten në këmbë dhe përsëri morën një vendim kundër interesave të popullit të tyre, duke iu bindur verbërisht amerikanëve”, u tha Ghalibaf ligjvënësve.
Ghalibaf dhe zëvendësit ishin të veshur me uniforma të IRGC-së në një shfaqje solidariteti.
Pasojat e menjëhershme të këtij vendimi nuk janë ende të qarta.
BE-ja shënoi një ndryshim simbolik në qasjen e saj ndaj udhëheqjes së Iranit të enjten, duke e shpallur Gardën Revolucionare një organizatë terroriste, pas shtypjes më të përgjakshme të protestave nga Republika Islamike që nga themelimi i saj në vitin 1979.Vendimi, i cili e sheh IRGC-në të bashkohet me grupe si Shteti Islamik dhe Al-Kaeda, përfaqëson një ndryshim simbolik në qasjen evropiane ndaj udhëheqjes iraniane.
Disa anëtarë të BE-së, të udhëhequr nga Franca, kanë rezistuar prej kohësh ndaj shpalljes së IRGC-së si organizatë terroriste.
“Represioni nuk duhet të mbetet pa përgjigje. Ministrat e jashtëm sapo kanë ndërmarrë hapin vendimtar për ta shpallur IRGC-në një organizatë terroriste”, njoftoi të enjten Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.
Ghalibaf shtoi se komisioni parlamentar për sigurinë kombëtare do të diskutojë dëbimin e atasheve ushtarakë të vendeve të BE-së dhe do të kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme iraniane për këtë çështje.E themeluar pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979 për të mbrojtur sistemin klerikal shiit të qeverisjes, Garda Revolucionare ushtron ndikim të madh në vend, duke kontrolluar pjesë të ekonomisë dhe forcat e armatosura.




