Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se kundërshtimet ndaj procesit aktual politik nuk lidhen me Ligjin për Dhomat e Specializuara apo me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një postim, Pacolli ka thënë se, sipas saj, çështja lidhet me pushtetin dhe pamundësinë për ta marrë atë përmes votës.
“Nuk e kanë hallin te Ligji për Dhomat e Specializuara. As te çlirimtarët që janë në Hagë. Hallin e kanë te pushteti që nuk po arrijnë ta marrin me votë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se, kur nuk mund të ndryshohet vullneti i qytetarëve përmes zgjedhjeve, tentohet të ndryshohet përmes “bllokadave, imponimeve dhe presionit”.
Pacolli ka kërkuar që zgjidhja të gjendet në Kuvend, duke u bërë thirrje deputetëve që të votojnë projektligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.
“Ejani votojeni projektligjin në lexim të dytë për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhni mes Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit për President/e të Republikës”, ka theksuar ajo.

