I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.
“Mendoj që një gjë e tillë është plotësisht e mundur”, tha Escobar gjatë konferencës për media në Beograd.
“Kjo marrëveshje nuk është diçka për t’u frikësuar. Shpresojmë se nuk do të ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por se do të mundësojë një nivel të caktuar stabiliteti dhe paqeje për njerëzit në rajon. Synimi i saj nuk është të krijojë pengesa të reja. E kundërta. Ne dëshirojmë që kjo marrëveshje të jetë e mirë jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por sepse Serbia dhe Kosova janë në zemër të Ballkanit Perëndimor, për të krijuar mundësi edhe për fqinjët tuaj”, tha Escobar.
Escobar foli në Beograd dy ditë para rundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.
I pyetur nëse pas vizitës së tij dhe të Lajçakut në Serbi, mund të thuhet se formimi i Asociacionit është më afër se sa ishte një muaj më parë, ai konfirmoi pozitivisht.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.
Escobar po ashtu tha se Asociacioni është një marrëveshje ekzistuese dhe një detyrim ndërkombëtar që duhet të zbatohet, “pavarësisht a do të ketë një marrëveshje të re apo jo”.
Qeveria e Kosovës deri tani ka refuzuar ta formojë Asociacionin, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.
Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit, në mesin e të cilave është edhe ajo për Asociacionin, parashihet në propozimin evropian për normalizimin e raporteve për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar muajin e kaluar në Bruksel. Më 18 mars në Ohër palët pritet të diskutojnë për zbatimin e këtij propozimi.
Ky propozim shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë konferencës në Beograd, Escobari u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile gjatë takimit në Ohër.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.
I dërguari special i ShBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.
Megjithatë, ai nuk deshi të flasë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.
Escobar rikujtoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e ShBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Përfitimet nga kjo marrëveshje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.
“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.
Mundësia që të dyja palët t’i shohin përfitimet e kësaj marrëveshjeje, është shumë e madhe, tha Escobar dhe shtoi se “kjo është ajo që më së shumti u nevojitet serbëve në Kosovë”.
“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.
Sipas Escobarit, pozita e serbëve në Kosovë do të përmirësohet përmes zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Escobar tha se pret nga Kosova që një nga modelet e propozuara të përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, të jetë model për Asociacionin.
“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të shkaktoj një konfrontim apo ta paraqes atë si një sfidë. Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit… do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë. Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve. Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe”, u shpreh Escobar.
Ai, po ashtu, bëri të ditur se në Ohër do të diskutohet edhe për pjesëmarrjen e serbëve në veri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 23 prill, si dhe për kthimin e tyre në institucionet e Kosovës.
“Unë do të doja të shihja se çfarë mund të bëjmë në Ohër për ta arritur këtë”, tha ai.
Serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës.
Escobar gjatë së mërkurës është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takim, siç thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë, është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe “mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve kompromisi dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.
Pas Serbisë, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën.