Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se Kushtetuta e Kosovës deri më tani është amendamentuar 27 herë.
Në një intervistë për Radio Kosovën, në 15 vjetorin e Ditës së Kushtetutës, Bajrami thotë se Kushtetuta e Kosovës duhet ta ndërrojë formën e zgjedhjes së presidentit, që duhet të bëhet nga populli, e jo nga parlamenti si dhe aprovimi i amendamentit që lidhet me votimin e dyfishtë. Ai përmend miratimin e një amendamenti që në rast kur një ligj bllokohet për shkak të votës serbe, t’i jepet e drejta presidentit që të shpallë referendum për atë ligj.
Radio Kosova: Profesor Bajrami, sot bëhen 15 vite nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës. Ju keni qenë një ndër hartuesit kryesor të aktit më të lartë juridik në vend. A mund të ktheheni pak në kohë dhe të na flisni për atë se si kishte rrjedh procesi i draftimit të kushtetutës?
Arsim Bajrami: Në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës një moment me rëndësi ka qenë përgatitja me kohë e tekstit të kushtetutës dhe harmonizimi i plotë i saj me Planin e Ahtistarit që paraprakisht i kishte paraprirë shpalljes së Pavarësisë. Në fakt, procesi i shkrimit të Kushtetutës kishte filluar në vitin 2005 dhe unë atëherë e kryesoja grupin punues. Ne kishim pothuajse draftin e përfunduar. Mirëpo, ky draft dhe kjo kushtetutë nuk mund të votohej para se të shpallej deklarata e pavarësisë. Dhe, siç e keni parë, jo shumë ditë nga shpallja e pavarësisë, pas 17 shkurtit, ne kemi finalizuar tekstin dhe më 9 prill Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kushtetutën e Kosovës. Ky është momenti i dytë më i rëndësishëm në historinë shtet-ndërtuese të Kosovës. 9 prilli, menjëherë pas 17 shkurtit, është dita më e rëndësishme e fillimit të një epoke shtet-formuese. Dhe jo rastësisht kjo ditë është futur edhe në kalendarin e festave zyrtare si Dita e Kushtetutës. Personalisht kam qenë sponsorisues i këtij ligji, kur isha ministër i Administratës Publike. Ideja e kësaj feste – Ditës së Kushtetutës, është një rikthim i memories në historinë tragjike të popullit të Kosovës dhe një falënderim ndaj të gjithë atyre që u flijuan dhe luftuan për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Radio Kosova: Sipas jush, cilat janë karakteristikat kryesore, elementet më të mira dhe më pak të mira të Kushtetutës?
Arsim Bajrami: Kjo Kushtetutë ka tri karakteristika kryesore. E para është se është një kushtetutë shtet-ndërtuese, sepse e përcakton Republikën e Kosovës shtet sovran, të pavarur, demokratik, unik dhe të pandashëm. Pra, realizon misionin historik për vetëvendosje, apo për pavarësi. Ky epitet e bënë këtë kushtetutë historike dhe shtet-formuese. Elementi i dytë i kësaj kushtetute është se promovon të drejta përtej standardeve ndërkombëtare për komunitete, e në mënyrë të veçantë për komunitetin jo shumicë serb, përmes të ashtuquajturës diskriminim pozitiv. Pra, Kushtetuta bazohet në Planin e Ahtisarit i cili në një anë për Kosovën ka propozuar një status të shtetit të pavarur, me mbikëqyrje ndërkombëtare në tri vitet e para dhe në anën tjetër përcakton të drejta përtej standardeve ndërkombëtare për pakicën serbe. Dhe ky është momenti i dytë. Karakteristika e tretë është se Kushtetuta promovon një demokraci liberale, një shtet liberal demokratik, një republikë parlamentare, bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve, ku Kuvendi është bartës i pushtetit legjislativ, Qeveria bartëse e pushtetit ekzekutiv dhe kemi një sistem të avancuar të gjyqësorit të pavarur. Në anën tjetër, krahas Kushtetutës ne kemi themeluar edhe Gjykatën Kushtetuese si garant i kushtetutshmërisë. Për nga karakteristikat, kushtetuta jonë mund të themi se është prej më të avancuarave në rajon, por se është edhe specifike për faktin se ka ardhur edhe si rezultat i një ndikimi të fuqishëm ndërkombëtar.
Radio Kosova: Po a ka ndonjë element, profesor, që ndoshta nuk do të donit të ishte në kushtetutë, por që rrethanat e asaj kohe për shtet-ndërtimin e Kosovës kanë bërë që edhe ato elemente të përfshihen në kushtetutë.
Arsim Bajrami: Personalisht, duke qenë bashkëhartues edhe i Kushtetutës së Kaçanikut, jam angazhuar për një preambulë tipike çfarë i takon Kosovës për procesin e shtet-ndërtimit. Isha hartues i një preambule ku shprehimisht theksoja falënderimin ndaj martirëve e dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndaj të gjithë veprimtarëve që kanë kontribuar për çlirimin dhe ditën e pavarësisë. Pra, një tekst ka qenë shumë tipik për Kushtetuta, por, asokohe, bashkësia ndërkombëtare nuk ishte e gatshme të pranonte asnjë preambulë që referon të kaluarën tragjike të popullit. Kërkonte që të ketë një shikim vetëm nga e ardhmja dhe kjo ka qenë një nga padrejtësisë që iu bë Kosovës, sepse preambula nuk është pjesë normative. Në anën tjetër, deri vonë ka pasur hezitime që Kosova të identifikohej si shtet i shumicës shqiptare, pra kërkohej që të kishte një balancë të gjashtë (6) komuniteteve. Por, pas përpjekjeve të Komisionit Kushtetues, ne kemi arritur që të fusim formulimin se Kosova është një shoqëri shumetnike e përbërë nga shqiptarët si shumicë dhe komunitetet e tjera jo shumicë, pra, ku shqiptarët qeverisin por kanë edhe për detyrë mbrojtjen e pakicave. Pra, nuk kemi një kushtetutë kombëtare, ku një komb i vetëm të shpallet si komb shtetformues, por kemi definim të Kosovës si shoqëri shumetnike ku bashkëjetojnë gjashtë (6) komunitete.
Radio Kosova: Që nga miratimi, Kushtetuta është amendamentuar disa herë. Ndërkohë, po bëhen 15 vite nga miratimi i saj. A besoni se ka ardhur koha që Kushtetuta të pësojë disa ndryshime që janë domosdoshmëri e kohës. Nëse po, për çka do ishin këto ndryshime?
Arsim Bajrami: Kushtetuta është një akti dinamik që duhet të përcjellë zhvillimet shoqërore. Dhe ne, vetëm për 15 vite kemi 27 amendamente, aq sa kanë amerikanët për kushtetutën e tyre më shumë se 200 vjet të vjetër. Gjatë kësaj kohe ka pasur tri lloje të shkeljeve të kushtetutës. E para, mos zbatimi i plotë i kushtetutës në komunat në veri të Kosovës. Pastaj krizat e thella kushtetuese që kanë ndikuar në procese dhe shkeljet e ndryshme të kushtetutës, por megjithatë kushtetuta u ka mbijetuar. Aktualisht, ka nevojë për dy lloj ndryshimesh. E para, Kosova duhet të ecë përpara në reformën për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Duhet të ndërrojë sistemin e tanishëm, pra të kalojë nga një president i zgjedhur nga Kuvendi në një president të zgjedhur nga populli. Për këtë, amendamentet dhe ligji janë të gatshme, të punuara në vitin 2011, nga një komision që e kisha drejtuar. Amendamentimi i dytë ka të bëjë me plotësime që i ka imponuar koha, pra krizat politike. Ka pasur disa raste në të kaluarën se kush duhet të formojë qeverinë, kush duhet të zgjidhet kryeparlamentar, çështje të tjera procedurale e të tjera. Një amendament që duhet aprovuar, është relativizimi i bllokimit serb në Kuvend. Pra, relativizimi i shumicës së dyfishtë të votimit. Me qenë se serbët kanë abuzuar me të drejtat që ua garantojnë vendet e rezervuara, ndoshta do të mund të miratohej një amendament që në rast kur një ligj bllokohet për shkak të votës serbe, me ia dhanë një të drejtë presidentit që të shpallë referendum për atë ligj, që nëse nuk mund të kalojë një ligj nëpërmjet parlamentit, për shkak të bllokadës nga deputetët serbë, atëherë siç është modeli francez, presidenti në raste të tilla i dërgon ligjet në referendum, dhe nëse merr shumicën e votave të popullit, atëherë ai ligj konsiderohet i miratuar. Kjo vije si pasojë se serbët me bojkot e mos votim, po i bllokojnë ligjet vitale. Shteti nuk duhet të bllokohet, dhe një mundësi e tillë është që të amendamentohet Kushtetuta që në rast të bllokimit të një çështje që është me interes vital për funksionalizimin e shtetit, të gjendet një derë dalëse e kjo do të ishte referendumi për atë çështje.
Radio Kosova: Profesor, që nga miratimi në vazhdimësi ka pasur shkelje të Kushtetutës. Sipas jush, pse po ndodhin shkelje të shpeshta të kushtetutës, nga mungesa e njohurive apo edhe për qëllim të realizimit të politikave të caktuara nga partitë që kanë udhëhequr me vendin?
Arsim Bajrami: Shkeljet kushtetuese në këto 15 vite të kushtetutës kanë qenë shumë të mëdha dhe të rënda. Kanë shkaktuar edhe kriza të thella politike. Nëse e kërkojmë përgjigjen se pse kanë ndodhur këto shkelje dhe pse ka kaq shumë punë Gjykata Kushtetuese, janë dy arsye; e para, ambicia e partive politike dhe lidershipit që të marrin pushtet duke abuzuar me Kushtetutën. Shkelësit më të mëdhenj të kushtetutës janë institucionet. Pra, parlamenti, qeveria, ish-presidentët, gjykatat. Kjo është e para. Arsyeja e dytë është mungesa e një demokracie të mirëfilltë, një kulture shtet-formuese, apo atë që ne profesionalistët e quajmë një konstitucionaizim i politikës, sepse akoma partitë politike nuk janë sa duhet të demokratizuara, dhe në këtë situatë kemi kaq shumë shkelje të kushtetutës. Të gjitha këto mund të kenë një arsyetim mungesën e ndonjë përvoje shtetërore, sepse jemi veç 15 vjet shtet, por, nuk duhet harruar se ne kemi pasur edhe nja dy dekada, nga viti 1974 deri në fund të viteve të 80-ta, një parahistori kushtetuese, kur kemi pasur një autonomi të gjerë politike dhe territoriale dhe kemi pasur edhe një kushtetutë të vitit 1974 dhe mendoj se nuk do të duhet të kishte shumë justifikim për shkelje të kushtetutës. Them kështu sepse një qeveri demokratike, një pushtet legjitim matet me atë se sa ka ndikuar në standardet kushtetuese. Nëse një qeveria zakonisht i rrëzohen ligjet në Gjykatë Kushtetuese, ajo duhet të mendojë mirë se cila është rruga që duhet ndjekur, sepse në demokraci Kushtetuta është arbitër për të gjitha dhe të gjithë duhet t’i nënshtrohen asaj.
Radio Kosova: Profesor Bajrami, gardian i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Si e vlerësoni punën që ky institucion ka bërë ndërvite?
Arsim Bajrami: Gjykata Kushtetuese është një rrëfim suksesi në Kosovë. Është e vërtetë se ka qenë e ngarkuar me lëndë shumë sensitive të natyrës politike por ajo ka arritur të vendosë në mbrojtje të kushtetutës pavarësisht shkelësve të saj. Pra, sa mund të themi se në Kosovë janë bërë shkelje të rënda të Kushtetutës, aq mund të themi se këto shkelje janë përmirësuar me vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe fatmirësisht të gjithë iu janë bindur këtyre vendimeve.
Madje edhe ata që dikur e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, kanë filluar të besojnë në të. Kjo mendoj se është një storie suksesi ndërkombëtar, me disa vendime revolucionare që ka sjell kjo gjykatë. Kështu që, sa mund të krenohemi me 15 vjetorin e Kushtetutës, aq mund të jemi të kënaqur që kemi një Gjykatë Kushtetuese afirmative e cila është treguar e denjë në realizimin e funksionit të mbrojtjes dhe interpretimit final të Kushtetutës.