Një vit e gjysmë pas vizitës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në Kosovë, është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, që po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën e përbashkët për media, pas takimit Pendarovski-Osmani në Shkup, që zgjati rreth një orë, të dy presidentët dolën në konferencë për media.
Fillimisht Presidenti Pendarovski tha se ky është takimi i katërt mes tyre dhe e gëzon fakti se është vendosur një dinamikë e tillë kontaktesh në nivelin më të lartë politik.
Ai tha se ka kënaqësinë që me Presidenten Osmani-Sadriu kishte bisedë kuptimplote mbi temat aktuale, dypalëshe, rajonale e integrimet evropiane.
Pendarovksi tha se në bisedë janë përshëndetur trendët pozitive të bashkëpunimit mes dy vendeve, përkatësisht ministrive të të dy shteteve.
Pendarovksi tha se sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Republika e Kosovës është në mesin e 20 vendeve me të cilat Maqedonia e Veriut ka shkëmbimin më të madh tregtar.
“Vetëm gjatë vitit 2022, shkëmbimi tregtar ka qenë 482 milionë euro”, tha Pendarovksi, duke shpresuar se trendi i tillë edhe më tej të vazhdojë e të rritet.
Sa i përket sfidave rajonale, Presidenti Pendarovksi tha se është dakorduar me Presidenten Osmani-Sadriu se të dy vendet kanë rol të rëndësishëm e aktiv, në përpjekje të përbashkëta për arritje të stabilitetit të qëndrueshëm të fqinjësisë së mirë e prosperitetin ekonomik në këtë pjesë të Evropës.
“E ardhmja e përbashkët në strukturat euro-atlantike është investim për stabilitetin e prosperitetin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovksi.
Ai tha se Maqedonia e Veriut rikonfirmon mbështetjen e aspiratave euro-atlantike të Republikës së Kosovës.
“Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojat e veta në lidhje me proceset reformuese si në rrugën drejt BE-së, ashtu edhe në anëtarësimin në NATO”.
Presidenti maqedonas deklaroi se shteti i tij e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjen e Kosovës në formate të ndryshme rajonale e kontinentale të bashkëpunimit.
Pendarovksi tha se temë e pashmangshme ishin edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.
“Riafirmova qëndrimin tonë se përshëndesim arritjen e marrëveshjes për pranimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, dhe ku zbatimi i të cilit do të kontribuojë mbi paqen dhe stabilitetin, sigurinë e zhvillimin, jo vetëm të fqinjëve tanë, por edhe të rajonit në tërësi”.
“Dua të falënderoj edhe Beogradin edhe Prishtinën për mbajtjen në shtetin tonë të një sesioni të rëndësishëm të dialogut të tyre që vetëm e konfirmon politikën parimore të cilën e udhëheqim e të cilën në vitet e kaluara, në bazë të disa kompromiseve të arritura e përforcuam kohezionin e brendshëm në shoqërinë shumë etnike maqedonase, e cila kontribuoi në stabilitetin rajonal dhe e ktheu vendin në institucionet vitale të aleancës perëndimore, pas viteve të gjata të vetë izolimit të vetë imponuar”.
Ai tha se vendi i tij është i gatshëm që edhe në cilësinë e kryesuesit aktual të OSBE-së, ta ndihmojë këtë proces, sidomos në fazën e zbatimit të pjesëve të caktuara nga marrëveshja e arritur. “Kuptohet, në pajtueshmëri me të dy palët e përfshira”.
Pendarovski tha se me homologen kosovare ka biseduar edhe për mundësinë e përparimit të të drejtave të maqedonasve në Kosovë në një kohë, kur sipas tij, për fat të keq -“disa propaganda të huaja janë aktivizuar përsëri”.
Kreu i shtetit maqedonas tha se në këtë drejtim, qëllimi i përbashkët është afrimi i qytetarëve të të dy vendeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë të Kosovës që t’i bëjnë presion Serbisë, që të respektojë obligimet që ka marrë nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani tha se Serbia me veprimet e fundit ka bërë “shkelje flagrante” të dy neneve të Marrëveshjes drejt normalizimit, që u arrit në fund të shkurtit në Bruksel, dhe të aneksit të saj, që u arrit një muaj më vonë në Ohër.
Kjo marrëveshje synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Ajo tha se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 2 maj në Bruksel, Kosova do të ketë qasje konstruktive dhe të hapur.
“Se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, pak a shumë mund t’i nuhasim nga deklaratat e fundit, e mbi të gjitha nga veprimet të cilat kanë qenë shkelje e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër. Siç e dini, neni 4 i kësaj marrëveshjeje parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës, por edhe lobimi i tyre kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante. Natyrisht, edhe ndërhyrja e tyre e paligjshme në zgjedhjet në Kosovë, është edhe shkelje e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje”, tha Osmani gjatë konferencës për media me homologun e saj maqedonas, Stevo Pendarovski.