Për Arjana Rudarin, me “vetëm pak mbështetje” për të rinjtë, gjithçka është e mundur. Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është e ardhmja drejt së cilës kjo shqiptare 24-vjeçare nga Lipjani, jo shumë larg Prishtinës, beson se Kosova duhet të shkojë.
Për Milan Dobriqin, nga Mitrovica e Veriut, pengesat për një të ardhme më të mirë, janë bindshëm të pakapërcyeshme. Ky i ri nga pjesa veriore e Kosovës e banuar me shumicë serbe ëndërron për një “treg më të madh”, por atë nuk e sheh në Kosovë.
Pikëpamje të ndryshme për të ardhmen u diskutuan me të rinjtë këtë javë në kuadër të Ditës së Evropës, e cila shënohet në përvjetorin e kapitullimit të Gjermanisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Një ngjarje e tillë është organizuar në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut, nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Çfarë thonë të rinjtë në Prishtinë?
Kosova do të jetë gjithmonë në planet e Arjana Rudarit.
“E ardhmja ime ende nuk është definitive, por kudo që jam një gjë e di sigurt, se unë do të punoj gjithmonë për Kosovën edhe për të mirën e Kosovës…”, thotë ajo.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo vlerësoi se e sheh Kosovën si një vend me shumë potencial, sepse 70 për qind të popullsisë e përbëjnë personat nën moshën 35-vjeçare.
Njëzetegjashtëvjeçari Endrit Tasholli nga Prishtina, gjithashtu, sheh potencial për një të ardhme më të mirë për të rinjtë në Kosovë. Ky aktivist dhe student i dizajnit të brendshëm thotë se të rinjtë nuk duhet të kenë frikë të bëjnë një hap përpara.
“Ka shumë potencial [për të ardhmen e Kosovës], sidomos tani potenciali është shumë i madh, por me atë potencial vjen edhe përgjegjësia për t’i absorbuar ato mundësi që po na vijnë”, thotë ai.
Çfarë thonë në Mitrovicën e Veriut?
Të rinjtë nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri, në përgjithësi nuk ishin të interesuar për idenë e diskutimit të së ardhmes së tyre në një ngjarje të organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.
REL-i më pas anketoi të rinjtë në vetë qytetin, mes tyre Nenadin dhe Nemanjën. Ata nuk deshën t’ua përmendim mbiemrat, por thanë se të dy janë studentë në Mitrovicën e Veriut.
“Nuk e di se sa ka të ardhme këtu. E gjithë situata politike, jostabiliteti, trazirat…”, tha Nenadi.
Veriu i Kosovës ka vite që është simbol i trazirave apo tensioneve. Popullata vendase në disa raste ngre barrikada në rrugë për të penguar pushtetin e autoriteteve të Kosovës në atë rajon, ku forcat kryesore politike janë të afërta me Beogradin zyrtar.
Tensionet e fundit ndodhën në fund të vitit të kaluar kur pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Nemanja tha për REL se shumica e miqve të tij nuk e shohin të ardhmen e tyre në Kosovë. Ai personalisht planifikon të shkojë në një nga qytetet e Serbisë.
“E ardhmja e të rinjve ndikohet më së shumti nga politika, duam apo nuk duam. Të rinjtë janë përgjithësisht apolitikë, por kjo nuk mjafton që politika dhe vendimmarrësit politikë të mos prekin ata dhe jetën e tyre”, vlerësoi ai.
Ku i shohin ata pengesat?
Endrit Tasholli nga Prishtina thotë se gjithmonë ka pengesa për një të ardhme më të mirë, por të rinjtë duhet t’i trajtojnë ato.
Ai vlerëson gjithashtu se të rinjtë janë të painteresuar dhe thotë se ata duhet të dinë t’i qasen një problemi apo një situate për hir të një të ardhmeje më të mirë, pra të përfshihen më shumë.
Si shembull, ai përmend ngjarjen e organizuar nga Zyra e BE-së me qëllim që t’i lejojë të rinjtë të flasin për dëshirat dhe nevojat e tyre.
“Jo gjithmonë duhet të themi diçka, jo gjithmonë duhet të flasim diçka, ideja është të jemi prezent edhe ta kuptojmë se unë nuk jam duke ditur, [prandaj jam] këtu edhe jam i gatshëm për të mësuar”, thotë ai.
Milan Dobriq, bashkëbisedues që në fillim të këtij rrëfimi, u referohet përvojave të tij. Ai shpjegon se ka qenë i përfshirë në gjëra të ndryshme në jetë – nga drejtimi i një biznesi privat në fushën e fotografisë dhe dizajnit e deri te përfshirja në sektorin civil. Megjithatë, siç thotë ai, kurrë nuk ka pasur perspektivë.
“Edhe pse keni mundësinë, të themi, të hapni një biznes të vogël, nga ana tjetër, nuk shihni të ardhme, nuk shihni se po shkon në drejtimin e dëshiruar, ndaj duhet të investoni më shumë para në biznes. Arsyeja është se nuk ka treg më të madh”, thotë ai.
Çfarë thonë të dhënat e organizatave ndërkombëtare?
Në vitin 2022, UNICEF-i në Kosovë prezantoi hulumtimin që ka bërë me të rinjtë e moshës 10 deri në 24 vjeç në temën e arsimimit të tyre, përfshirjes në shoqëri, pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse dhe çështje të tjera që ndikojnë në jetën e tyre.
Ndër tjerash, rezultatet treguan se të rinjtë duan të përfshihen më shumë në proceset vendimmarrëse, të bëhen krijues të ndryshimeve në komunitetet e tyre dhe të përfshihen në komentimin dhe kontributin në politikat publike.
Më parë, organizata joqeveritare gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, në hulumtimin e saj të vitit 2019 kishte konstatuar se të rinjtë në Kosovë janë optimistë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e Kosovës, por se janë shumë pesimistë për situatën reale në terren kur është fjala tek arsimi, tregu i punës apo situata politike.
Kjo organizatë ka përfaqësuesit e saj në më shumë se 100 vende të botës dhe mbështet politikën e bashkëpunimit paqësor.
Rezultatet e hulumtimit të tyre tregojnë se të rinjtë më së shumti duan të migrojnë për arsye ekonomike.