Parlamenti Evropian do të shqyrtojë sot aftësinë e Hungarisë për të kryesuar Bashkimin Evropian 27-anëtarësh vitin e ardhshëm, duke pasur parasysh problemet e vendit me sundimin e ligjit, sipas projekt-rezolutës parlamentare.
Detyra e shtetit që kryeson BE-në është të planifikojë dhe kryesojë takimet e ministrave dhe organeve përgatitore të Unionit, si dhe të përfaqësojë BE-në në marrëdhëniet dhe lidhjet me institucionet e tjera të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare.
Presidenca është përgjegjëse për angazhimin dhe punën në legjislacionin e BE-së dhe duhet të veprojë si një ndërmjetës i ndershëm dhe neutral, kusht që Hungaria, për shkak të konflikteve të shumta me BE-në, nuk do të mund ta përmbushë, thuhet në projekt-rezolutën parlamentare.
“Parlamenti Europian po shqyrton sesi Hungaria mund ta përmbushë këtë detyrë në mënyrë të besueshme në vitin 2024, duke pasur parasysh mosrespektimin e të drejtave dhe vlerave të BE-së që përmbahen në nenin 2 të Traktatit të BE-së, dhe se si mund t’i përmbahet parimit të bashkëpunimit të sinqertë”. thuhet në projekt-rezolutën që do të miratohet më 1 qershor, transmeton Hina, duke iu referuar Reuters.
Miliarda euro të ngrira për Hungarinë
Sipas marrëveshjes së të gjitha qeverive të BE-së në vitin 2016, Hungaria duhet të kryesojë bllokun midis korrikut dhe dhjetorit 2024.
Kalendari tashmë ka ndryshuar deri më tani, për shkak të anëtarësimit të vendeve të reja anëtare, por një ndryshim tjetër i bazuar në problemet e shteteve anëtare me respektimin e shtetit ligjor do të ishte i paprecedentë.
Hungaria ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me BE-në për një sërë çështjesh – sundimin e ligjit, korrupsionin e nivelit të lartë, pavarësinë e pamjaftueshme të gjyqësorit, shkeljet e lirive akademike dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ.
Kjo është arsyeja pse Bashkimi ka ngrirë miliarda euro të destinuara për Budapestin.
Qeveria hungareze ka negociuar me BE-në për këto çështje prej vitesh, por pak progres është bërë, raporton Al Jazeera .