Liopavsky
Presidenca çeke e përfundon mandatin në krye të Bashkimit Evropian më 31 dhjetor të këtij viti.
“Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, ka thënë Lipavsky në një konferencë për media në Prishtinë.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Lipavsky ka thënë se i ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike.
Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për këtë proces.
Duke iu referuar 13 tetorit, kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, Bislimi ka thënë se ajo ditë përbën vetëm nisjen e procesit.
“Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar për liberalizim të vizave. Janë edhe pesë procedura, por ne kemi besim të plotë që Republika Çeke do ta shtyjë përpara këtë proces përgjatë presidencës së saj”.
Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës i kanë adresuar të gjitha çështjet që kanë shqetësuar shtetet skeptike për këtë proces.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet më 13 tetor, vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit, e cila do të shoqërohet edhe me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Edhe nga Komisioni Evropian është konfirmuar se do të raportojë pozitivisht për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
“Nevoja për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”
Përgjatë konferencës, ministri Lipavsky, ka thënë se Republika Çeke përkrah plotësisht përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ashtu që palët të arrijnë te normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore.
“Normalizimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi rajonal janë aspekte qenësore drejt integrimit evropian. Pa përparim në këtë fushë, nuk do të mund të ketë sukses në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Lipavsky, duke bërë thirrje që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura mes dy palëve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011.
Kosova insiston që dialogu të finalizohet me njohje të ndërsjellë, derisa Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Kosova është duke iu qasur dialogut në mënyrë konstruktive, dhe se është e gatshme që të ofrojë “propozime, ide dhe zgjidhje që çojnë në normalizim të plotë”.