Në Plovdiv, qytetin e dytë më të madh të Bullgarisë, zor se mund të shmangësh një statujë 11 metra të gjatë.
E emërtuar Alyosha, një prej shprehjeve që janë përdorur për të përshkruar ushtarët sovjetikë, kjo figurë gjigante nderon pjesëtarët e Ushtrisë së Kuqe, të cilët kanë luftuar në Bullgari gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Disa burime, duke përfshirë Ministrinë e Jashtme të Rusisë, pretendojnë se Alyosha bazohet në fotografinë e një ushtari të vërtetë rus, i cili ka luftuar atëbotë për Bullgarinë.
Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, monumentet e periudhës sovjetike në lindje të Evropës kanë marrë vëmendje të re, pasi disa prej tyre që nderojnë Ushtrinë e Kuqe, janë rrëzuar në Poloni dhe Letoni.
Artisti francez, Mitch Brezunek e ka gjetur një mënyrë të re dhe unike për t’u përballur me të kaluarën: duke e kthyer Alyosha-n në fantazmë.
Ndërhyrjet digjitale janë pjesë e ekspozitës së tij, “Fantazma është këtu”, e cila është hapur më 9 shtator në Plovdiv.
Në kohën e regjimit komunist, monumentet e Ushtrisë së Kuqe janë ndërtuar në Bullgari, për të nderuar ushtarët sovjetikë për rolin që kanë luajtur në mposhtjen e Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Ato janë konsideruar simbole të miqësisë bullgaro-sovjetike, ndonëse Ushtria e Kuqe ka pushtuar Bullgarinë, dhe Bashkimi Sovjetik i ka shpallur luftë shtetit më 1944.
Pas rënies së komunizmit, monumentet sovjetike dhe pllakat tjera përkujtimore, kanë qenë temë diskutimi për të kaluarën në gjithë ish-bllokun lindor.
Të zemëruar me pushtimin sovjetik dhe intervenimet tjera ushtarake ruse, shumë persona kanë bërë thirrje që monumentet të hiqen – kërkesa që kanë zemëruar zyrtarët rusë dhe kanë çuar në përplasje diplomatike.
Ka pasur edhe tentime për të ulur poshtë Ayosha-n, mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka pasur sukses.
Kur Estonia ka hequr një përmendore të Luftës së Dytë Botërore nga qendra e qytetit Tallin më 2007, në qytet kanë shpërthyer trazira dhe shteti është përballur me sulme masive kibernetike, për të cilat më pas ka fajësuar hakerët rusë.
I lindur në Francë më 1989, artisti Brezunek ka punuar dhe jetuar në Plovdiv prej vitit 2016.
Prej kur ka nisur të jetojë në Bullgari, dhe të mësojë për këtë shtet, përmendoret kanë qenë një prej interesave të tij.
“Këto monumente janë gjithandej. Ato nuk mund t’i shmangësh kurrë për shkak të madhësisë dhe lokacionit. Në Plovdiv, shembull, Alyosha e dominon qytetin dhe qiellin”, ka thënë francezi për Radion Evropa e Lirë.
“Është e pamundshme që të mos e pyesësh veten secilën herë që e sheh monumentin: Pse është këtu? Si ka përfunduar këtu, çfarë mesazhi po përçon?”
Në ekspozitën e tij, Brezunek ndryshon në mënyrë digjitale fotografitë e 12 monumenteve sovjetike që janë nëpër qytetet e Bullgarisë.
Sipas artistit, transformimet e tyre nuk dërgojnë mesazh vetëm për të kaluarën, por janë edhe reflektim i të tashmes së Bullgarisë si anëtare e Bashkimit Evropian.
Monumentet janë afër nesh për një arsye, ka thënë Brezunek, “për të na kujtuar të kaluarën dhe gabimet që kemi bërë”.
“A mund të mësojmë nga hapat e gabuar të së kaluarës dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë? Fantazmat janë këtu për të na kujtuar se historia shpesh e përsërit veten”, ka thënë Brezunek.
Pjesë kryesore e ekspozitës është një ekran 7.5 metra i gjatë, në të cilin Alyosha është e zvogëluar dhe transformohet në fantazmë gjigante.
Monumente tjera të Ushtrisë së Kuqe që Brezunek i ka transformuar gjenden në Sofje, Varna, Dobriç, Burgas, Stara Zagora e tjera.
Të bëra bashkë, ato formojnë elementin e fundit të ekspozitës, një hartë digjitale tredimensionale (3D), e cila sipas fjalëve të artistit, shpërfaq “dy fytyrat e Bullgarisë”.
Në njërën anë është e kaluara, monumentet e ushtrisë sovjetike, ndërsa në tjetrën “e tashmja, anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Evropian”.
Brezunek e ka përdorur artin e tij për të mbledhur para për Ukrainën, e cila është duke luftuar forcat ruse prej 24 shkurtit.
Një video-animacion në formatin 3D, në të cilin Alyosha shihet duke u shndërruar në fantazmë, është duke u shituar online.
Sipas organizatorëve të ekspozitës, çdo javë deri më 9 nëntor, secili punim 3D do të shitet dhe 70 për qind e të hyrave do të shkojnë për mbështetje të artistëve dhe ngjarjeve kulturore që zhvillohen në Ukrainë dhe Bullgari.
Sipas Brezunek, punimet digjitale janë vetëm faza e parë e projektit dhe më 2023, ai është duke planifikuar një instalacion te monumenti i Alyosha-s.
“Do të doja shumë që ta shihja Alyosha-n në një qefin të artë”, ka thënë ai.
Data 9 shtator – që Brezunek ka vendosur të hapë ekspozitën – nuk ka qenë aksidentale.
Katër ditë më herët, më 1944, Bashkimi Sovjetik i ka shpallur luftë Bullgarisë.
Më 9 shtator të atij viti ka pasur puç dhe Qeveria e Konstantin Muravievit është rrëzuar.
Lëvizja pro-komuniste e rezistencës, Fronti i Atdheut, ka ardhur në pushtet, duke shënuar fillimin e regjimit komunist në Bullgari.
Kjo parti ka qenë më pas në pushtet deri më 1989.