Qeveria e Kosovës ka filluar punën për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse në agjenci të pavarura dhe ekzekutive. Nga Qeveria, nuk kanë treguar për Radio Kosovën nëse ky proces do të përmbyllet sivjet dhe sa agjenci do të shuhen. Nga shoqëria civile thonë se racionalizimi i agjencive të pavarura është shumë i nevojshëm dhe duhet të përmbyllet pa vonesa.
Numri i agjencive të pavarura dhe atyre ekzekutive që funksionojnë në kuadër të institucioneve publike, vlerësohet i madh, prej vitesh.
Me qëllim të racionalizimit apo edhe shuarjes së disa prej tyre, Qeveria Kurti ka marrë disa veprime konkrete, gjatë dy viteve të fundit.
Në Kuvendin e Kosovës, janë miratuar dy ligje që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse në Agjenci të pavarura apo edhe në Agjenci ekzekutive. Megjithëkëtë, sipas shoqërisë civile ende nuk ka rezultate të prekshme në këtë drejtim.
Radio Kosova ka pyetur zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra, nëse pritet që procesi i racionalizimit të agjencive të pavarura dhe ekzekutive të përmbyllet gjatë këtij viti dhe sa agjenci mund të mbyllen?
Duke mos treguar nëse deri në fund të këtij viti do të përmbyllet procesi i racionalizimit të agjencive të pavarura dhe ekzekutive, Dobra tha se janë duke punuar në këtë proces dhe se rezultatet mbetet të shihen.
“Numrin e saktë të agjencive që mund të shuhen nuk mund t’ua jap, sepse ekipet janë duke biseduar me të gjitha institucionet. Që nga marsi, nëse nuk gabohem e kemi edhe një metodologji për shuarjen, krijimin apo bashkimin e agjencive, e cila na drejton në procesin që duhet ndërmarrë. Unë nuk përjashtoj mundësinë e krijimit të agjencive të reja, por, agjencitë që nuk do të duhej të ekzistonin ose do të duhej të ishin diku tjetër do të rishikohen edhe do të ndërmerren hapat e duhur”, tha Dobra.
Naser Shamolli, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radio Kosovën se, racionalizimi i agjencive të pavarura është shumë i nevojshëm dhe duhet të përmbyllet pa vonesa. Shamolli thekson dy aspektet që tregojnë rëndësinë që ka racionalizimi i agjencive të pavarura, të cilat siç thotë janë të shumta në numër.
“E para, për të zvogëluar numrin që është mbi 80-të, përkundër që disa iniciativa janë ndërmarr nga qeveritë, edhe kjo aktualja. Por është një ndërmarrje shumë simbolike. Janë diku 6 agjenci që deri më tani janë racionalizuar, por që në praktikë realisht funksionojnë si ato të vjetrat. Ndërsa, për racionalizimin e tjerave duhet të ketë një plan të qartë e vullnet politik që ky proces duhet të përfundohet sa më shpejtë që është e mundur”, tha Shamolli.
Sipas Shamollit, përveç për racionalizimin e agjencive të pavarura, i rëndësishëm është edhe racionalizimi i dikastereve të ndryshme nëpër ministri të caktuara të cilat duhet të kenë organizim më të mirë.