Sonte, në sheshin ‘Skëndërbeu’ në Prishtinë, nga ora 20:30 do të fillojë festivali i muzikës operistike ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, i cili këtë vit vjen me moton ‘Opera për Liri’.
RLIOF këtë vit nis me gala mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’, e që do t’i paraprijë edhe pesë netëve të tjera koncertale ku do të performojnë artistë të ndryshëm vendorë e të ndërkombëtarë, e muzikantë të skenave botërore.
Në prag të hapjes së edicionit të tretë të këtij festivali, u organizua konferencë për media e ku u fol rreth festivalit e në veçanti për mbremjen e sotme.
Hapjen e konferencës e bëri Ulpiana Alijaj, moderatorja dhe koordinatorja e Programit Artistik e cila dha detaje rreth mbajtjes së edicionit të tretë.
“Edicionin e tretë e kemi nisur me një temë që është veçanërisht specifike duke ruajtur ‘Operën për Liri”, duke dashur të transmetojmë mesazhe të rëndësishme jo vetëm lidhur me artin operistik jo vetëm me artin muzikor por edhe duke e lidhur edhe me atë që ka të bëjë me të gjithë artin që na rrethon në përgjithësi, me artin film me artin pamor”, theksoi Alija e cila më pas prezantoi të gjithë panelin që ishte i pranishëm në këtë konferencë e duke vazhduar edhe tek programi i festivalit.
“Festivali do të përbëhet nga pesë shtylla kryesore dhe pesë mbrëmje të cilat do të mbahen përveç galasë së sotme e cila nis në sheshin ‘Skëndërbeu’ në ora 20 e 30. Do të kemi më pas edhe mbrëmjet tona të cilat vijojnë më 25, 27, 29 dhe 31 korrik në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës”, u shpreh Aliaj e cila më tutje jepi detaje për secilën natë dhe duke shpalosur nga një pjesë prej programit operistik.
Më pas fjalën e mori kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi lart festivalin ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ dhe rëndësinë e tij për kulturën dhe artin në vend.
“Falënderoj institucionet që i kanë lejuar këto hapësira për të mundësuar mbajtjen hapjes së festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, një festival i jashtëzakonshëm i cili ka filluar para dy ditëve, është një festival të cilin mund ta quajmë multi-dimensiojnal, pasi para dy ditësh ka filluar me hapjen e ekspozitës ‘Rrrnofsh sa malet’ ekspozitë kjo që do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës sa do të jetë i hapur festivali. Festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ sjell një numër të madh të talentëve nga vende të ndryshme botërore”, tha mes tjerash Rama, duke falënderuar dhe përgëzuar më tutje tenorin Lahaj për këtë nder që i bën Prishtinës duke e transformuar atë në një vend të artit dhe kulturës.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe dirigjenti Pier Giorgio Morandi i cili vjen për herë të parë në Kosovë dhe që do të dirigjojë gjithë mbrëmjen gala që do të mbahet sonte.
“Dua të falënderoj mikun tim Rame Lahaj për ftesën sepse është një kënaqësi e madhe për mua të jem për herë të parë në Kosovë. Ky bashkëpunim me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës ishte shumë pozitive dhe me një impakt shumë të mirë që në provat e para”, theksoi Morandi duke shprehur mirënjohje për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për të cilët ai thotë se kanë bërë një bashkëpunim të mrekullueshëm.
Edhe këtë vit, sikurse edhe në vitet paraprake, festivali ‘RLIOF’ u jep mundësi gjeneratave të reja të muzikantëve operistikë që të bëhen pjesë e masterclassit, e që këtë vit do të trajnohen nga mjeshtri i vokalit Francisco Araiza.
Araiza ndau me pjesëmarrësit edhe faktin se ai dhe Lahaj njihen që shumë vite dhe për një kohë janë shkëputur nga njëri-tjetri për shkak të obligimeve profesionale, deri sa Lahaj e kontaktoi mjeshtrin e zërit për t’u bërë pjesë e RLIOF.
“Rame Lahaj më foli rreth ideve dhe projekteve të tij dhe për një çast mendova ‘Ky djalë do të marrë gjithë mbështetjen time’ sepse ai e meriton vërtet. Më pas ne u dakorduam që unë të drejtoj këtë masterclass. Dje unë kisha rastin që të kontaktoj me këngëtarët e rinj të mrekullueshëm me të cilët do të punojmë për krejt këto ditë me motivacion e shumë guxim”, përfundoi Araiza.
Ndërkaq, përveç artit muzikor, këtë vit festivali ‘RLIOF’ është zgjeruar edhe në mediume të tjera të artit, siç është ajo e artit pamor me hapjen e ekspozitës ‘Rrnofsh sa malet’ e që ka për qëllim që nëpërmjet artit të lobojë në ruajtjen e natyrës.
E e pranishme në këtë konferencë ishte vetë kurarorja e ekspozitës Ovul Durmusoglu e cila tha se arti është një prej mënyrave më të fuqishme për të përcjellë mesazhe të fuqishme.
“Ekspozita ‘Rrnofsh sa malet’ është një frazë me të cilën unë jam fascinuar që në momentin kur kam dëgjuar për të. Duke qenë se vij nga rrënjë turke, edhe ne kemi fraza të ngjashme me të, prandaj kam dashur që ta dokumentoj”, u shpreh Durmusoglu,
Në mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’ që do të mbahet sonte, do të jetë i pranishëm edhe baritoni italian Massimo Cavalleti, i cili ishte i pranishëm edhe në këtë konferencë ku shfrytëzoi rastin që të falenderojë festivalin për ftesën edhe që ia bënë të mundur të vijë për herë të parë në Kosovë.
“Do të doja të falënderoj organizatorin Rame Lahaj për ftesën në këtë festival të mrekullueshëm dhe për të vizituar këtë vend që për mua është i ri. Mund të them që për mua muzika lirike mbërrin tek çdo njeri në të njëjtën formë dhe mendoj se është një simbol i lirisë për të gjithë dhe sot jam i lumtur që do të dëgjoni disa nga këngët më të njohura të repertorit italian’, tha në vijim baritoni Massimo Cavalleti.
Ndërkaq, publiku sonte në sheshin ‘Skëndërbeu’ do të ketë mundësinë të dëgjojë këngën ‘Luna’ të këngëtarit italian Alessandro Safina, e që po ashtu është edhe kolonë e famshme zanore e filmit Moulin Rouge. I pranishëm në këtë konferencë, Safina fillimisht shprehet i lumtur për prezencën e tij për herë të parë në Prishtinë dhe për këtë ai e falënderon të parin e festivalit, Ramë Lahaj.
“Këtu pata fatin të njihem me njerëz të mrekullueshëm. Sonte do të performojmë në një koncert shumë të bukur, shpresoj që publiku këtu ta pëlqejë. Është hera e parë që jam këtu dhe shpresoj shumë që të mos jetë e fundit”, përfundoi Safina.
E koncerti i sotëm, edhe këtë vit vjen si bashkëpunim me Filahrmoninë e Kosovës. E në emër të Filharmonisë sot në këtë konferencë foli Dardan Selimaj.
“Për Filharmoninë e Kosovës është një nder dhe privilegj që të bashkëpunojë me një projekt kaq të rëndësishëm për skenën e Prishtinës. Për Filharmoninë dhe muzikantët e saj ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme me e pasë fatin me punu për tri vite me mjeshtër të rëndësishëm të muzikës lirike apo operistike. Ndërkaq këtë vit ka qenë privilegj ta presim në mesin tonë mjeshtrin Morandi’, tha mes tjerash Selimaj.
E krejt në fund, fjalën e mori edhe ai që edhe e nisi këtë festival, Ramë Lahaj, e që nga viti në vit po sjell muzikantë të njohur të skenës botërore.
“Ajo që mua më gëzon shumë dhe më vjen mirë është që kjo lloj energjie dhe ky pasion i imi për të sjellë njerëz të skenës ndërkombëtare në Kosovë ndihet dhe prej kolegëve që vijnë këtu, e kjo ka qenë e rëndësishme sepse aktiviteti jonë nuk është një aktivitet argëtues thjesht për të bërë një shoë sepse në fillojmë një rrugëtim të ri siç është muzika operistike”, u shpreh Lahaj, duke falënderuar në vijim të gjithë mbështetësit, që ndihmuan që kjo ëndërr të ecë përpara.
“Jam shumë i lumtur që jo vetëm prej institucioneve dhe partnerëve privatë këtu, por edhe prej miqve ndërkombëtarë është kuptuar ajo dëshirë e imja e flaktë që të takohemi në Prishtinë që per mua nuk është vetëm një koncert, sepse pas realizimit të ëndrrës time që të performoj në teatrot më të mëdha botërore, aktiviteti i Prishtinës është kthyer në një motivim për të vazhduar përpara”, tha Lahaj në fjalimin e tij.
Ndërkaq, ju kujtojmë se sonte në sheshin ‘Skëndërbeu’ në Prishtinë, nga ora 20:30 do të fillojë festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, me koncertin ‘Rame Lahaj & Friends’. E ky festival do të zgjasë deri më datë 31 korrik./KultPlus.com/