Telekomi i Kosovës ka akuzuar sistemin gjyqësor në Kosovë për dështim në adresimin e drejtë dhe ligjor të kontestit të saj me ‘Dardafon.net’.
Telekomi i Kosovës ka pranuar Aktvendimin KPPP nr. 365/23 nga Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Parë (Aktvendimi i Gjykatës Komerciale), me të cilin gjykatësi individual A.T. ka detyruar Telekomin e Kosovës që të paguajë edhe një shumë shtesë prej afërsisht 5.7 milionë euro për ‘Dardafon.net’.
“Telekomi i Kosovës ndodhet në një situatë ku veçse ka paguar shumën prej më shumë se 40 milionë euro përkundër detyrimit të obliguar në vlerë prej 27.6 milionë sikurse ishte përcaktuar në Vendimin e Arbitrazhit (afërsisht 13 milionë mbipagesa që duhet të kthehen nga Dardafon). Kështu, në një proces gjyqësor në shkelje flagrante të parimeve themelore procedurale, të dokumentuar si të ndikuar nga Dardafon.net, Telekomi detyrohet të paguajë më shumë se dyfishin e detyrimit nga një gjykatë shtetërore”, thuhet në reagimin e Telekomit të Kosovës.
Tutje kjo kompani ka bërë të ditur se ka ushtruar të drejtën e saj për ankesë brenda afatit ligjor dhe lënda është në vendosje pranë Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë.
“Mënyra e trajtimit të kontestit të Telekomit të Kosovës me Dardafon është tejet shqetësuese, dhe është në shkelje të parimeve themelore të administrimit të drejtësisë. Ky reagim publik vjen për shkak të përsëritjes dhe dështimit të adresimit të këtyre shkeljeve brenda sistemit të drejtësisë dhe përsëritjes së shkeljeve të njëjta në dëm të Telekomit të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.
Sipas Telekomit të Kosovës kjo është hera e tretë që gjykata e shkallës së parë është duke vendosur të njëjtin rast, kjo pasi dy vendimet paraprake i janë anuluar për shkak të shkeljeve themelore të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të Telekomit të Kosovës për një proces të drejtë ligjor.
“Pamundësia për të pasur një proces të drejtë ligjor ka ndikuar që Telekomi të mos ketë mundësi të rikuperojë më shumë se 13 milionë euro mbipagesa ndaj Dardafon.net. Këto mjete paraqesin detyrim ligjor të Dardafon.net që t’i kthehen prapa Telekomit të Kosovës dhe duhet konstatuar nga Gjykata”, thekson Telekomi.
Telekomi i Kosovës ka theksuar se ka përdorur dhe do të përdorë edhe më tutje të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës.
“Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm në vendosjen e drejtësisë dhe sqarimin e plotë të dëmeve dhe zhvatjeve të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar tek organet përkatëse”, thuhet mes tjerash në komunikatë.