Policia Metropolitane ka shkatërruar një rrjet spiunësh rus, me agjentë të akuzuar se u maskuan si gazetarë për të kryer mbikëqyrje në Londër dhe Evropë. Duke vepruar nën maskën e gazetarëve të televizionit amerikan, të dyshuarit përdorën kredencialet e kanaleve televizive Discovery dhe National Geographic. Përveç kredencialeve të falsifikuara, spiunët rusë përdorën karta identiteti të falsifikuara, pasaporta dhe patenta shoferi nga shumë vende, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Greqinë, Republikën Çeke, Bullgarinë, Francën, Italinë, Spanjën dhe MB.
Në qendër të hetimeve janë tre shtetas bullgarë: Orlin Roussev (45), Bizer Dzhabazov (41) dhe Katrin Ivanova (31). Ata u arrestuan dhe u akuzuan për posedim të 19 dokumenteve të falsifikuara. Aktivitetet e tyre të fundit kanë përfshirë vendndodhje në Londër, Gjermani dhe Mal të Zi, duke ngritur shqetësime të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
Roussev, i cili dyshohet se drejtonte operacionin e falsifikimit, jetonte në një konvikt në qytetin në bregun perëndimor të Anglisë, Great Yarmouth në Norfolk – një vend i mundshëm për qendrën e operacioneve të spiunazhit rus. Brenda një dhome në hotelin Haydee me tre yje, të dekoruar me lule, dhe pranë skelës dhe plazhit me rërë të pushimeve, u zbuluan pajisje për të bërë karta të rreme ID. Profili i Roussev në LinkedIn pretendon se ai është një ekspert bullgar në inteligjencën e sinjaleve, që përfshin përgjimin e komunikimeve dhe sinjalet elektronike. Një nga e-mailet e tij përfshinte personazhet “007”, si agjenti imagjinar James Bond. Përveç kësaj, profili i tij në LinkedIn zbuloi se ai dikur ishte këshilltar i Ministrisë Bullgare të Energjisë.
ZINXHIR SPIUNEVE
Roussev u transferua në MB në 2009 dhe kaloi tre vjet duke punuar në shërbime financiare. Fqinjët dëshmuan se për tre muaj nuk panë askënd që hynte apo dilte nga hoteli. Haydee është në pronësi të biznesmenes bullgare Irina Paravanova (47), por nuk ka të dhëna se ajo është e përfshirë në një rrjet spiunazhi. Moira Scott , një menaxhere bari në hotelin familjar përballë Haydee’s, dëshmoi se personeli i sigurisë u shfaq atje në shkurt me një tendë mjeko-ligjore dhe një furgon me xhama të lyer. “Kishte shumë burra të veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar, që vinin e shkonin”, tha ajo.
Të dyshuarit Dzambazov dhe Ivanova kanë qenë në Britaninë e Madhe për dhjetë vjet, duke jetuar në Harrow, lagjen veri-perëndimore të Londrës. Ivanova u paraqit si laborante, kurse Xhambazov si shofer spitali. Çifti menaxhoi një platformë sociale që ndihmoi komunitetin e emigrantëve bullgarë dhe lehtësoi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet bullgare. Ivanova postoi video në internet për të promovuar rrjetin, duke thënë se mund t’i ndihmojë njerëzit të kenë akses në kurset e gjuhës angleze. Në postim, çifti pretendon gjithashtu se mund të ndihmojnë bullgarët “të marrin dokumentet që u nevojiten për të jetuar dhe punuar” në Londër.
Fqinjët thanë për MailOnline se ata paguanin qiranë në kohë, kishin sjellë ëmbëlsira dhe nuk kishin vërejtur ndonjë sjellje të dyshimtë. “Na u tha se ishin polakë, por unë nuk fola kurrë me ta,” tha Sonal Thakrar , pronari i banesës. Thakrar tha se kur ajo vizitoi apartamentin pas kontrollit të policisë, ajo gjeti shishe të shumta uiski dhe xhin. “E di që njerëzve u pëlqen të pinë, por kurrë nuk kam parë kaq shumë shishe alkool të grumbulluara”, tha ajo.
GJYQI NË JANAR
Gjyqi i tre të dyshuarve të arrestuar do të zhvillohet në Old Bailey në Londër janarin e ardhshëm. Dy persona të tjerë – një burrë 31-vjeçar dhe një grua 29-vjeçare – u arrestuan në Londër, por nuk u akuzuan. Ambasada bullgare në Londër tha se autoritetet britanike nuk e kishin informuar për arrestimet, raportoi Sunday Times.
Incidenti erdhi pasi Britania rriti luftën e saj kundër kërcënimeve të jashtme të sigurisë dhe muajin e kaluar miratoi një ligj të ri të sigurisë kombëtare që synon të parandalojë spiunazhin dhe ndërhyrjen e huaj. Qeveria e cilësoi Rusinë si “kërcënimin më të madh” për sigurinë e saj kur ligji u miratua.
Shërbimet e sigurisë dhe Policia Metropolitane janë në gatishmëri shtesë pas incidentit të vitit 2018 në të cilin agjenti i dyfishtë Sergei Skripal u helmua me Novichok në Salisbury. Policia ka akuzuar tre rusë, të cilët thuhet se janë oficerë të inteligjencës së GRU, shërbimi rus i sigurisë, për incidentin.
Në një raport vjetor nëntorin e kaluar, kreu i shërbimit të inteligjencës britanike MI5, Ken McCallum, tha se më shumë se 400 spiunë të dyshuar rusë ishin dëbuar nga Evropa. Britania ka bllokuar hyrjen në vend për më shumë se 100 spiunë të dyshuar të Kremlinit, të cilët aplikuan për hyrje nën maskën e vizave diplomatike.