Pyetjet rreth zhvillimit ndërkombëtar dhe si të luftohen ndryshimet klimatike do të jenë në krye të axhendës kur liderët botërorë të takohen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Një nga temat kryesore ndoshta do të jetë lufta në Ukrainë.
Çfarë janë Kombet e Bashkuara dhe Asambleja e Përgjithshme?
Kombet e Bashkuara (OKB) është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 1945 pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me qëllim ruajtjen e paqes ndërkombëtare.
Tani ajo ka 193 vende anëtare të plota, si dhe dy shtete joanëtare – Selinë e Shenjtë (zona e Romës nën autoritetin e Papës) dhe Shtetin e Palestinës.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është sesioni kryesor ku merren vendimet se çfarë duhet të bëjë organizata.
Është sesioni i vetëm ku përfaqësohen të 193 anëtarët e OKB-së.
Asambleja e Përgjithshme mbahet çdo shtator në selinë e OKB-së në Nju Jork.
Këtë vit filloi më 5 shtator.
Megjithatë, shumica e liderëve botërorë do të paraqiten për seancat kryesore që fillojnë më 18 shtator.
Çfarë do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme?
Një konferencë mbi zhvillimin e qëndrueshëm do të mbahet më 18 dhe 19 shtator, kur vendet do të diskutojnë se si të arrijnë “qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm” të OKB-së.
Këto përfshijnë dhënien fund të urisë dhe varfërisë në botë, përmirësimin e të ardhurave dhe arsimit në mbarë botën dhe rritjen e aksesit në ujë të pastër dhe kanalizime.
Debati i përgjithshëm zhvillohet mes 19 shtatorit dhe 23 shtatorit dhe do të vazhdojë më 26 shtator.
Në këto sesione përfaqësues të çdo vendi në OKB mund të flasin dhe të ngrenë çështje që i shqetësojnë.
Samiti i ambicieve klimatike do të mbahet më 20 shtator.
Qëllimi i tij është të përshpejtojë veprimet në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Ka edhe konferenca për financimin e zhvillimit ekonomik, luftimin e pandemisë dhe çarmatimin bërthamor.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zgjidhet një herë në vit dhe këtë vit është Dennis Francis, diplomat nga Trinidad dhe Tobago.
Çfarë mund të rezultojë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së?
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përfaqëson një mundësi unike për krerët e shteteve dhe qeverive botërore që të takohen në një vend.
Është përshkruar si “takim diplomatik me shpejtësi”.
Rezultatet më të rëndësishme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shpesh vijnë nga takimet ndërmjet liderëve kombëtarë të mbajtura mënjanë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të jetë i pranishëm dhe ai mund të mbajë një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për luftën në vendin e tij.
Megjithatë, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti kinez Xi Jinping dhe ai francez Emmanuel Macron nuk do të jenë të pranishëm.
Raportohet se as kryeministri britanik Rishi Sunak nuk do të marrë pjesë.
Si funksionon Debati i Përgjithshëm i OKB-së?
Tradita dikton që folësi i parë të jetë gjithmonë lideri i Brazilit ose përfaqësuesi i tij, i ndjekur nga vendi pritës, Shtetet e Bashkuara.
Brazili e hap aktivitetin sepse në ditët e para të asamblesë, kur askush nuk donte të shkonte i pari, ai shpesh dilte vullnetar për të qenë folësi i parë dhe më pas u bë traditë.
Gjatë manifestimit, lideri i çdo vendi ose përfaqësuesi i tij i drejtohet asamblesë.
Ata mund të flasin ndonjë nga gjashtë gjuhët zyrtare të Kombeve të Bashkuara: arabisht, kinezisht, anglisht, frëngjisht, rusisht dhe spanjisht.
Folësve u kërkohet të mbajnë fjalimet e tyre në më pak se 15 minuta, edhe pse kjo injorohet rregullisht.
Udhëheqësi kuban Fidel Castro mban rekordin për fjalimin më të gjatë në Asamblenë e Përgjithshme – katër orë e gjysmë – nga viti 1960.
Delegatët janë ulur sipas rendit alfabetik, sipas përkthimit në anglisht të emrit të vendit të tyre, por vendi që ulet i pari zgjidhet gjithmonë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Këtë vit është Maqedonia e Veriut.
Cilat janë incidentet më të famshme në Asamblenë e Përgjithshme?
Në vitin 2019, aktivistja suedeze mjedisore Greta Turnberg u tha liderëve botërorë në Samitin e Veprimit për Klimën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së: “Ju vodhët ëndrrat e mia dhe fëmijërinë time me historitë tuaja boshe. Si guxon?”.
Ajo ishte 16 vjeç në atë kohë,
Në vitin 2017, ish-presidenti i SHBA Donald Trump tha për liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un: “Rocket Man është në një mision vetëvrasës”.
Në vitin 2009, udhëheqësi libian, kolonel Gadafi foli për më shumë se një orë e gjysmë, në një moment duke u ankuar se delegatët po largoheshin nga salla e konferencave.
Ai akuzoi gjithashtu fuqitë e mëdha për tradhti të parimeve të Kartës së OKB-së, një kopje të së cilës më vonë e përplasi në tokë.
Në vitin 2006, presidenti i Venezuelës Hugo Chavez e quajti presidentin e atëhershëm të SHBA-së Xhorxh W. Bush “djall”.
Ai tha se podiumi nga i cili foli Bush një ditë më parë “ende mban erë squfuri”.