Përderisa në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit, diplomatët në Bruksel kanë shprehur drojë se kur të nisin diskutimet rreth zgjerimit, entuziazmi për pranimin e anëtarëve të rinj mund të bjerë.
Sipas kritereve të tanishme, shtetet që janë më pak të zhvilluara janë neto shfrytëzues të buxhetit të përbashkët të BE-së, ndërkaq ato më të pasura janë neto kontribuuese. Nëse bëhet një llogaritje në bazë të këtyre kritereve, atëherë pothuajse të gjithë anëtarët aktualë, me përjashtim të Bullgarisë, do të paguanin më shumë sesa do të fonde të BE-së, që u jepen shteteve anëtare.
Politika e kohezionit dhe ajo e bujqësisë janë dy fusha që tradicionalisht marrin pjesën më të madhe të buxhetit. Këto politika synojnë që të zvogëlojnë dallimet mes shteteve anëtare, në bazë të solidaritetit. Falë kësaj politike, për shembull, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka deklaruar se kur shteti i saj është anëtarësuar në BE ka pasur Bruto Prodhimin Vendor (GDP) në nivel prej 48 për qind të mesatares së bllokut, ndërkaq sot GDP-ja është mbi 80 për qind. Por, edhe shtete të tjera kanë shënuar rritje të Bruto Prodhimit të Brendshëm falë anëtarësimit në bllokun evropian.
Por, nëse në BE do të hynin gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, atëherë mesatarja e BE-së do të binte dukshëm dhe si pasojë e kësaj, disa shtete që aktualisht janë anëtare, nuk do të përmbushnin më kriteret që u mundësojnë të përfitojnë nga politika e kohezionit.
Nëse bëhet një llogaritje – sipas kritereve aktuale – për nëntë shtetet e reja anëtare, BE-ja do të duhej të ndante 260 miliardë euro për buxhetin 7-vjeçar. Prej kësaj shume, vetëm për Ukrainën – për shkak të madhësisë së territorit që ka, nivelit të ulët të GDP-së për kokë banori dhe numrit të popullsisë – do të shkonin 186 miliardë euro, ndërkaq për tetë vende të tjera do të ishin në dispozicion 74 miliardë euro.
Këto llogaritje janë bërë nga shërbimet e Këshillit të BE-së dhe janë përfshirë në një dokument të brendshme pune, i cili ka rrjedhur në media. Ndonëse nuk kanë dashur që të komentojnë për këtë dokument, në BE nuk kanë hedhur poshtë as raportimet për të.
Por, kur janë pyetur rreth shpenzimeve që mund të ketë blloku pas pranimit të anëtarëve të rinj, nga Komisioni Evropian kanë thënë se “projektimi i buxhetit nuk mund të kopjohet automatikisht nga e kaluara dhe mund të ndryshojë për t’iu përshtatur rrethanave të reja”.
Por, në BE kanë thënë se thirrjet për nisjen e përgatitjeve të nevojshme për zgjerim nënkuptojnë edhe nisjen e diskutimeve për pasojat financiare. Kështu ka deklaruar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
BE-ja ka miratuar kornizën buxhetore deri në vitin 2027. Por, në buxhetin e ri duhet të përfshihen edhe llogaritjet e reja për të siguruar mjetet e nevojshme edhe për pranimin e vendeve të reja anëtare.
Rritja e mbështetjes për zgjerimin
Zgjerimi është shndërruar në një prej temave kryesore në takimet e nivelit të lartë në BE dhe mbështetja për këtë proces ka shënuar rritje të madhe.
Edhe në samitin e fundit joformal të BE-së, shumë liderë, përfshirë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë thënë se “edhe BE-ja edhe vendet kandidate duhet të ktyejnë pjesën e tyre të punës për t’u bërë gati për zgjerim”.
Megjithatë, liderët e bllokut kanë thënë se shtetet aspiruese duhet të zbatojnë reformat që kërkohen, veçmas në fushën e sundimit të ligjit.
Disa liderë kanë thënë se viti 2030, të cilin e ka përmendur presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, si afat për t’u bërë gati për zgjerim, është një shtytje e mirë politike. Por, për disa liderë të BE-së kjo datë duket tepër e largët e për të tjerët tepër e shpejtë.
Mbështetje për zgjerimin u dha edhe përmes Deklaratës së Grandës, që u miratua më 6 tetor. Në tekstin e saj u tha se zgjerimi është një investim gjeostrategjik për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në kontinentin evropian. Sipas kësaj deklarate, zgjerimi do të zvogëlojë pabarazinë mes vendeve dhe do të forcojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.
“Duke shikuar para drejt një blloku më të zgjeruar, si BE-ja ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare, duhet të bëhen gati. Vendet aspirante duhet të përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht Union i duhet të vendos themelet për tu bërë ta bërë unionin gati për tu zgjeruar. Në do ti paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si ti arrimë ato”, u tha në deklaratë.
Por, kjo duket më shumë mbështetje politike e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, që ka krijuar një moment të ri politikë ën Evropë. Kjo luftë, që Rusia nisi shkurtin e vitit të kaluar, ka rikujtuar se në kontinentin e Evropës, liria më nuk mund të merret si e garantuar vetvetiu dhe se zgjerimi i BE-së është vërtetë një investim në paqe dhe stabilitet, e jo vetëm në rritjen e tregut.