Associated Press
Kur Tymofii Postoiuk dhe miqtë e tij e nisën një përpjekje për grumbullimin e të hollave online për Ukrainën, donacionet filluan të derdhen nga e gjithë bota, duke ndihmuar në blerjen e pajisjeve themelore për Forcat e Armatosura Ukrainase.
Derisa lufta me Rusinë po vazhdonte dhe lodhja nga lufta po niste, filloi edhe pakësimi i donacioneve, por paratë vazhduan të vinin rregullisht dhe pa pengesa. Pastaj, më 7 tetor shpërtheu lufta mes Izrael dhe Hamas – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA.
Me fillimin e një konflikti tjetër të madh, mediat sociale, përfshirë X, u vërshuan nga lajmet prej Lindjes së Mesme.
“Postimet tona për mbledhjen e të hollave dhe përditësimet thjesht humbasin në mesin e atyre cicërimave”, tha Postoiuk.
Bota e ka kthyer vëmendjen prej Ukrainës kah luftimet në Rripin e Gazës – gjë që i brengos ukrainasit. Ata druhen se lodhja e botës, agjendat politike dhe resurset e kufizuara do të bëjnë që të ketë më pak ndihma për ushtrinë e tyre, duke ia dobësuar mundësitë vendit të tyre për t’i bërë ballë luftës me Rusinë.
“Sa më shumë që vazhdojmë të flasim për luftën tonë, aq më pak interesim do të ketë prej njerëzve”, tha 21-vjeçari Ivan Mahuriak, i cili jeton në Lviv, në perëndim të Ukrainës.
Lodhja, tha ai, vjen nga fakti se dinamikat në terren janë shumë më të vogla se në vitin 2022, kur Forcat e Armatosura të Ukrainës ia dolën t’i përzinin plotësisht apo pjesërisht forcat ruse nga disa rajone.
“Në disa vende, ende ekziston linja e frontit. Por, kjo nuk nënkupton se asgjë nuk po ndodh”, tha ai. Vëllai i tij, dy kushërinjtë, disa kolegë dhe miq janë pjesë e ushtrisë ukrainase që po lufton me trupat ruse.
Kundërofensiva e këtij viti, e cila nisi në qershor, ka përparuar me ritëm shumë më të ngadaltë, pasi trupat ukrainase po hasin në vështirësi t’i largojnë nga pozicionet e tyre rusët, të cilët janë vendosur në territoret e kapura. Mbështetja shtesë amerikane për Ukrainën është vënë në rrezik nga mosmarrëveshjet politike në Uashington, ku lufta e re po e merr vëmendjen kryesore.
Ndarjet rreth Ukrainës kanë nisur edhe në Bashkimin Evropian, i cili njoftoi se nuk do të mundë t’ia dërgojë Kievit të gjithë municionin që ia kishte premtuar. Në takimet e nivelit të lartë dhe samite të BE-së tani përqendrimi është mbi katastrofën humanitare në Gazë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka folur për binjakëzimin e mbështetjet për Izraelin dhe Ukrainën, duke thënë se të dy këto vende janë jetike për sigurinë kombëtare.
Sekretari i Bidenit për transportin, Pete Buttigieg, e vizitoi Ukrainën më 8 nëntor për të treguar se mbështetja amerikane për Kievin nuk është zbehur.
“Fakti se jam këtu është një mënyrë për të dëshmuar se, përveç shqetësimeve të mëdha dhe vëmendjen që e kemi për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, ne e kemi vëmendjen, përqendrimin dhe përkushtimin që gjithmonë e kemi pasur për Ukrainën”, tha ai asokohe.
Por, shumë ukrainas janë të shqetësuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky, e ka pranuar në fillim të nëntorit se ka lodhje nga lufta në Ukrainë. “Po, shumë njerëz në botë janë të lodhur, natyrisht”.
Miliona ukrainas ndihen të ngarkuar kur e kuptojnë se lufta që Rusia e nisi në vendi ne tyre nuk do të përfundojë së shpejti.
“Pavarësisht sa e frikshme mund të tingëllojë, unë po e përgatis veten për faktin se kjo luftë do të zgjatë tërë jetën time”, tha Zoya Krasovska, një 34-vjeçare nga Lviv.
Për dallim nga viti 2022, kur morali ishte i lartë pavarësisht mungesës së rrymës, ujit dhe shërbimeve të tjera, këtë vit ukrainasit përballen me frustrimin e një kundërofensive të ngadalshme dhe me mungesën e armëve të sofistikuara. Politikat e brendshme janë bërë fokus më i madh.
Postoiuk, menaxher me bazë në Holandë për fondacionin “Rruga drejt Ukrainës”, tha se ekipi priste të binte numri i donacioneve, por jo në këtë shkallë.
Prej se shpërtheu lufta Izrael-Hamas, atyre u duhet së paku dy herë kohë më shumë për të mbledhur para për ta blerë një veturë për ushtrinë – zakonisht nga 8.000 deri në 14.000 dollarë.
Përmes punës së tyre, ata i kanë mbledhur gati 147.000 dollarë – të holla me të cilat i kanë mbështetur 13 brigada dhe kanë vlerë automjete të ndryshme për to.
Për herë të parë në historinë e këtij fondacioni, donacionet prej brenda Ukrainës i kanë tejkaluar ato prej jashtë vendit, theksoi ai.
“Lufta e Ukrainës për pavarësi nuk është më në agjendë, së paku tani për tani”, shtoi ai.
Ivan Bezdudnyi, një 26-vjeçar nga Kievi, është i konsumuar nga lufta në vendin e tij. Në dy vjetët e kaluara, ai i ka dokumentuar krimet e luftës së shkaktuara nga Rusia. Pak gjëra kanë ndryshuar për të personalisht prej se shpërtheu lufta në Lindjen e Mesme.
Ai nuk brengoset se rënia e interesimit do të ketë ndikim në luftën e Ukrainës për shumë kohë.
“Kur niveli i interesimit për Izraelin dhe Hamasit do të bjerë, dhe mendoj se nuk do të zgjatë shumë…niveli i vëmendjes që merrnim ne do të mbetet. Mbase jo aq i madh sa në shkurt apo mars të vitit të kaluar, por mbase më i lartë se tani”, tha ai.