Ka dështuar kalimi i amendamentit të tretë të projektbuxhetit për vitin 2024, i cili ka të bëjë me rritjen e buxhetit të RTK-së.
Me 24 vota pro, 57 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka refuzuar rritjen e buxhetit të RTK-së nga 8 në 12 milionë euro.
“Bordi i RTK-së ankohet për varfëri të skemës programore, për shkak të mungesës së financave për të financuar aktivitete sportive, kulturore dhe të tjera. Janë bërë 3 vjet që nuk ka asnjë nismë që të pavarësohet financimi i RTK-së dhe të gjenden burime të tjera. Ne kemi obligim si themelues që të ofrojmë financimin e nevojshëm që mediumi publik të jetë qendror në tregun medial në Kosovë”, ka deklaruar Avdullah Hoti si iniciator i këtij amendamenti.
Kuvendi po voton veç e veç 64 amandamentet e projektbuxhetit 2024
Kuvendi i Kosovës është duke votuar veç e veç 64 amandamentet e projektbuxhetit për vitin 2024. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar këtë dokument, duke e quajtur si politik.
Opozita kërkon lexim të tretë të Ligjit për Buxhetin 2024
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kundërshtimet për Projektbuxhetin e vitit 2024. Armend Muja, kryetari i Komisionit për Projektbuxhetin, ka deklaruar se ka pritur rekomandimet dhe kërkesat e deputetëve, e të cilat i kanë zbatuar me ndërhyrje në këtë dokument.
“Pas të gjitha diskutimeve, është miratuar raporti me amandamente. Komisioni për Buxhet ka pasur disa ndërhyrje teknike te pjesa tabelare dhe tekstuale. Ne ua rekomandojmë deputetëve që ky ligj të miratohet”, ka thënë Muja.
Hykmete Bajrami në cilësinë e përfaqësueses së LDK-së, ka thënë se është dashur që ky projektbuxhet të shkoj në lexim të tretë.
“Në mes të dates 31 tetor kur Qeveria e Kosovës e ka përcjellë Ligjin e draftbuxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe ditën kur po e lexojmë sot kanë ndodhur disa gjëra, e ne mendojmë që Qeveria është dashur të reflektojë dhe në fakt ta tërheq ligjin dhe ta kthej për një rialokim komplet tjetër ose të shkoj ky ligj nga sot në lexim të tretë”, ka deklaruar Bajrami.
Bajrami ka përmendur rezultatet e PISA-s, duke pasur kritika për Ministrinë e Arsimit, e duke kërkuar ngritjen e pagave për mësimdhënësit.
Tahiri: Kabineti qeveritar i paaftë për ta ushtruar funksionin e tij
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar Projektbuxhetin e vitit 2024 si dokument të një partie. “Nuk është grupi parlamentar i VV-së dhe Kuvendi i Kosovës, i cili e mbikëqyr punën e Qeverisë dhe jep udhëzime, mirëpo është qeveria që në emër të votës së tyre përcakton dhe bën çka të dojë. Ky ligj i ka 64 amendamente, nga to asnjë s’do të miratohet, pra jemi duke folur për një dokument puro politik”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se 80 për qind e parasë së qytetarëve që është dashur të investohen në shkolla e rrugë nuk janë investuar.
“Jemi duke folur për një kabinet qeveritar i cili është i paaftë për të ushtruar funksionin e tij. Në analizën e Institutit GAP thuhet se 83 për qind të projekteve për vitin 2024 janë projekte që do të vazhdojnë dhe vetëm 17 për qind janë projekte të reja kapitale. Dhe këto projekte, shumica dërmuese kanë shkuar në komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka shtuar Tahiri.
Lushtaku për buxhetin e 2024-s: Qeveria dështoi në planifikim
Partia më e madhe opozitare në vend, PDK ka ngritur shqetësime në lidhje me ndarjet buxhetore për vitin 2024. Sipas deputetit të këtij subjekti, Mërgim Lushtaku, ekzekutivi ka dështuar në planifikim.
Lushtaku tutje tha se qeveria ka dështuar edhe në zbatimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët.
“Është për keqardhje çfarë është në gjendje të bëjë Qeveria Kurti vetëm për të mashtruar qytetarët dhe për të treguar hipokrizinë e tyre se gjoja po ndihmon qytetarët. Ndërsa, këto 11 muaj nuk është kujtuar që t’i ndihmojë. Nga fillimi i kësaj qeverie kemi parë që nuk kanë ditur as të realizojnë projekte”, ka theksuar Lushtaku.
Sipas tij kjo qeveri do të mbahet mend për “keqmenaxhim, fshehje të hajnive e degradim të çdo institucioni të këtij vendi”.
“Qytetarët çdo ditë e më shumë po humbin durimin për të jetuar në Kosovë. Dhe nuk mundemi t’i mbajmë qytetarët me një shtesë në fund të vitit pasi nuk është arritur që të realizohen projektet që do t’i ndihmonin ata. Asnjë politikë e juaja nuk ka sjellë ndryshim që të ulë varfërinë e skajshme, aq më shumë ju keni pasuruar njerëzit tuaj”, ka shtuar ai.