Shkruan: Naza KRASNIQI
Një kronologji e shkurtër e krijimit dhe aktivitetit të partive politike dhe a është koha reale për një parti të re në Kosovë.
LDK, e cila është një prej partive më të vjetra dhe njihet si parti institucionale dhe e krijuar në rrethana të jashtëzakonshme, kur në Kosovë ndodhnin ngjarje historike për Kosovën, krijimi i një partie shqiptare ishte e domosdoshme për kohën. LDK-ja në këtë kohë luajti një rol të rëndësishëm dhe konsiderohej si një parti unifikuese.
Por pas vdekjes së liderit historik z. Ibrahim Rugova, pësoi përçarje, largime të anëtareve të saj dhe ndërrime të shpeshta të udhëheqjes, e ku në zgjedhjet e fundit rezultoi me një rënie drastike dhe shumë zhgënjyese.
PDK dhe AAK u krijuan pas luftës me qëllim të rehabilitimit të funksionarëve ushtarakë të UÇK-së pas demilitarizimit. Që të dyja këto parti në zgjedhjet e fundit rezultuan me rënie të elektoratit, sidomos pas arrestimeve të liderëve nga Gjykata Speciale, duke mos përjashtuar faktorin e keqeverisjes së tyre përgjatë 20 viteve në pushtet dhe “u lodhen në pushtet”.
Por, pavarësisht që këto tri parti që kanë qëndruar gjatë në pushtet kanë pasur sfida të mëdha në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Mendoj që kanë bërë punë, që ne sot i gëzojmë, pavarësisht keqqeverisjes për çka edhe u dënuan nga elektorati.
Me krijimin e Vetëvendosjes, si parti politike, në Kosovë u vendos një lloj opozitarizmit aktiv, kritikues dhe me plotë aktivitete opozitare deri në masën e aktiviteteve të dhunshme, që nuk ka ndodhur që prej pas luftës e këndej. Pas krijimit të VV-së në Kosovë disa herë u krijuan disa parti politike por fatkeqësisht ishte e pamundshme mbijetesa e tyre politike, sepse roli i VV-së ishte aq i shtrirë dhe aq aktiv në teren me aktivitete të ndryshme, sa që çdo krizë arrinte të krijonte kauzë për veten. Qytetarët filluan të shohin VV-në të vetmen alternative, edhe pse ishin krijuar parti tjera politike, ishte e pamundshme të veprojnë kur gjithçka që ishte opozitare dhe kundër pushtetit ishte mbuluar me VV-në dhe liderin e tyre z.Kurti.
E sa i përket partive politike me jetëgjatësinë (Ad hok) si për shembull krijimi i partisë ORA ishte si refleksion ndaj anëtarësisë dhe politikës ndër urban, si parti urbane, e cila mbijetoi shumë pak vite me disa anëtare, që nuk patën efektin te qytetarët dhe të cilët shumë shpjet u anëtarësuan në partitë tjera, e gjatë procesit të aderimit u promovuan si gjoja me “njerëz me vlera.”
Partia AKR ishte krijuar si një subjekt në kohën e përshtatshme pas fillimit të shfaqjes së krizës ekonomike sociale si pasojë e përfundimit të rindërtimit ndërkombëtar të Kosovës, dhe si subjekt që ofronte mbështetje sociale dhe humanitare për qytetarët e varfër, e cila ndryshe nga subjektet tjera të vogla, i mbijetoi më së shumti jetëgjatësisë politike, por rezultoi me parti jo parlamentare.
Por fatkeqësia e kësaj partie ishte, se në teren nuk po gjen mbështetje dhe kishte disa anëtare jo stabil dhe serioz për objektivat e partisë, dhe largoheshin nga AKR, duke mos qenë as falënderues ndaj liderit të AKR-së që i mbështeste gjatë avancimit etj.
Ndërsa krijimi i LDD ishte si pasojë e ndarjes së LDK që për mua më tepër, kishte të bënte me pakënaqësitë e humbjes se pozitave në LDK të disa zyrtarëve pas kuvendit të karrigeve, sesa që ka përfaqësuar ndonjë ide ose platformë politike. Fatin e njëjtë e kishte edhe subjekti NISMA i cila u krijua me largimin e z.Limaj nga PDK-ja, për arsye të pakënaqësive dhe mosmarrjes së pozitave brenda strukturave të PDK-së. U krijua me gjasa për fitore, por në zgjedhjet e fundit rezultuan parti jo parlamentare.
PSD, parti e cila u krijua në rrethana të njëjta sikur LDD dhe NISMA, por e cila është mjaft aktive me disa aktivitete (të kopjuara nga VV-ja opozitare) kundër qeverisjes, por me mbështetje shumë minore nga qytetarët.
Po ashtu subjekti politik i FRYMA e RE, që ka qenë një mundësi e mire, që si subjekt do ishte një ndryshim pozitiv për qytetarët.
Pra të gjitha këto parti nuk mbijetuan gjatë, por që sot të janë në historinë e krijimit të partive politike.
Me VV-në në opozitë do ishte e pamundur të mbijetoj një subjekt i ri, madje edhe subjekte ekzistuese, që kanë një bagazh të madh historik, politik si: LDK, PDK, AAK u tkurren në atë masë, sa që rrezikojnë mbijetesën si subjekte politike.
Andaj sot është imediate e domosdoshme dhe kohë reale, krijimi i një subjekti të ri politik në Kosovë për shumë arsye:
Me VV-në në pushtet, dhe me qeverisjen e saj, që afër 3 vite dhe me dështimin e disa ministrave të VV-së ka filluar që vetë mbështetësit e VV-së të jenë të zhgënjyer. Por pasiviteti i partive opozitare, të cilat ishin në pushtet dhe të cilat në të gjitha këto kriza të ndodhura në këtë kohën e opozitarizmit nuk ishin të gatshme të krijonin një kauzë të vetme, humbën shpresën e orientimit të të pakënaqurve ndaj tyre.
Gjithashtu një numër shumë i madh i anëtarësisë së partive opozitare janë të pakënaqur me mënyrën e opozitarimit të tyre, edhe pse nuk janë të gatshëm të pranojnë një vazhdim të qeverisjes së VV-së në ketë formë. Prandaj në të dy taborët e anëtarësive pozitë&opozitë kanë shpërthyer pakënaqësitë dhe të vetmen shpresë e shohin krijimin e një subjekti opozitar të fuqishëm dhe të domosdoshëm si asnjë herë më parë, sepse alternativë për momentin nuk shihet. Andaj qytetarët krijimin i një partie të re me orientim të qartë dhe me struktura tjera do të ishte e domosdoshme për Kosovën. Nuk është keq pse kemi një subjekt me 51%, por fatkeqësia është, se nuk kemi opozitë të kategorisë, që do të jetë rival i denjë për VV-në dhe liderin e saj. Pa dashur të kritikoj lider opozitar, por hija jo e mirë e këtyre 20 viteve qeverisje të tyre, me dashje dhe pa dashje, e bën të pamundshëm edhe fitoren dhe përballjen me liderin e VV z.Kurtin. Për shumë rrethana, edhe atëherë kur z.Kurti bën gabime shiten si sukses të tij, e jo dështime, kjo ndodh vetëm atëherë kur ka mungesë të alternativës. Nga kjo rezulton, se partitë opozitare, të cilat kanë qeverisur me Kosovën për njëzet vjet radhazi, paraqiten sikur të mos kishin qenë në pushtet as për njëzet ditë.
Me 14 shkurt fitorja e VV-së me 51%, nuk ishte fatkeqësi, që ajo mori pushtetin absolut, por që në atë datë është fundosur opozitarizmi aktiv dhe vendimmarrja e opozitës.
Është momenti i fundit, që në vitin 2024 opozita të bashkohet urgjentisht, jo fizikisht, por në kauzat e përbashkëta opozitare, se përballë pozitës, siç është VV-ja, me këtë mbështetje ta harrojnë fitoren kundër Albin Kurtit, i cili ka filluar edhe t’i nënçmojë, (nuk po veproni si opozitë).
Andaj, duke parë rrethanat aktuale, është e domosdoshme krijimi i një subjekti të ri, që mendoj se do të sjellë freski dhe konkurrencë, jo vetëm ndaj pozitës, por edhe ndaj opozitës pasive.