Para dhe pas ekspozimit të tij si pedofil, Jeffrey Epsteinit i pëlqente shumë të shoqërohej me elitën e botës.
Milioneri ftoi politikanë dhe akademikë në ishullin e tij privat dhe në shtëpitë e tij luksoze. Ai u ofroi të famshmëve udhëtime me avionin e tij privat. Ai dhe e dashura e tij, Ghislaine Maxwell, u shoqëruan me princa dhe me supermodele. Ata bënë donacione që i vunë në kontakt me filantropët më të mëdhenj.
Pasi Epstein vrau veten teksa po priste gjykimin mbi akuzat për trafikim seksual më 2018, shumë prej këtyre njerëzve kanë kërkuar falje që janë shoqëruar me të dhe kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni se ai abuzonte vajza të mitura.
Dokumente të porsazbuluara gjyqësore kanë ringjallur interesimin në emrat e mëdhenj që janë shoqëruar me Epsteinin dhe Maxwellin, e cila po vuan një dënim prej 20 vjetësh burgim, e shpallur fajtore për ndihmën që ka dhënë në rekrutimin dhe abuzimin e viktimave të Epsteinit.
Shumë prej këtyre njerëzve nuk janë akuzuar kurrë për ndonjë vepër keqbërëse, por megjithatë janë bërë subjekt i një mori teorish konspirative. Të tjerë prej vitesh mohojnë akuzat e bëra nga njëra ndër viktimat e Epsteinit – Virginia Giuffre – se janë përfshirë në marrëdhënie seksuale në kundërshtim me ligjin.
I hedhim një vështrim disa prej personave të cilët janë kthyer në qendër të vëmendjes, për shkak të publikimit të dokumenteve, të cilat përfshijnë dëshmi nga viktimat e Epsteinit, nga njerëzit që kanë punuar për të, nga Giuffre dhe nga Maxwell:
Jean-Luc Brunel
Dokumentet gjyqësore përmbajnë referenca të përsëritura për Jean-Luc Brunelin, një agjent francez modelesh dhe mik i ngushtë i Epsteinit, i cili vrau veten në një burg në Paris më 2022, teksa po priste gjykimin mbi akuzat se ka përdhunuar vajza të mitura. Brunel është akuzuar nga Giuffre dhe të tjera se ka shfrytëzuar premtimet për punë në botën e modelimit për të joshur njerëz, përfshirë të mitur, në takime seksuale.
Trupi që menaxhon pasurinë e Brunelit është paditur këtë javë në Kaliforni, nga një grua që pretendon se ai dhe të tjerë e kanë sulmuar atë seksualisht, në kohën kur ajo punonte si modele në Nju-Jork. Ajo thotë se, në një rast, është dërguar në një shtëpi në Kanada, dhe është mbajtur atje për disa ditë, përderisa disa burra e kanë abuzuar.
Avokatët e Brunelit mbrojnë pafajësinë e tij, duke thënë se vetëvrasja e tij “nuk është nxitur nga faji, por nga një ndjejë e thellë e padrejtësisë”.
Leslie Wexner
Dokumentet përmbajnë, po ashtu, referenca për Leslie Wexnerin, gjigant biznesi prapa Victoria’s Secret, The Limited dhe zinxhirë të tjerë dyqanesh.
Epstein kishte menaxhuar paratë e Wexnerit për shumë vite, por marrëdhënia e tyre ishte tharbëtuar pas arrestimit të Epsteinit në Florida, më 2006, dhe dënimit të tij me burgim për pagimin e një vajze të mitur për marrëdhënie seksuale.
Pasi Epstein u akuzua në nivel federal për trafikim seksual dhe vrau veten në burg, Wexner tha se ishte i turpëruar nga lidhjet e tij me Epsteinin.
Ai, po ashtu, ka akuzuar publikisht Epsteinin për shpërdorim të “shumave të mëdha” nga pasuria e tij, por nuk ka ofruar hollësi.
Alan Dershowitz
Në mesin e emrave më të njohur, të përmendur në dokumente, është ai i Alan Dershowitzit, ish-avokat i Epsteinit dhe profesor i pensionuar i drejtësisë në Universitetin e Harvardit. Giuffre e ka akuzuar Dershowitzin se e ka abuzuar atë seksualisht disa herë në Florida, në Nju-Jork, në Nju-Meksiko dhe në Ishujt e Virgjër të ShBA-së.
Por, Giuffre e ka tërhequr akuzën e saj ndaj Dershowitzit më 2022, duke thënë se “mund të kem gabuar” në identifikimin e tij si një nga burrat me të cilët ka kryer marrëdhënie seksuale, me kërkesë të Epsteinit apo Maxwellit.
“Kam qenë shumë e re asokohe”, ka thënë ajo, dhe “ka qenë një mjedis shumë stresues dhe traumatik”. Dershowitz ka vlerësuar pranimin e gabimit nga ana e saj.
Princi Andrew
Disa prej akuzave më sensacionale kanë përfshirë princin Andrew të Britanisë, i cili ka qenë mik i moçëm i Maxwellit dhe ka takuar Epsteinin edhe pas burgimit të tij në Florida për krim seksual.
Giuffre ka paditur princin më 2021, duke pretenduar se kur ajo kishte qenë 17 vjeçe, kishte kryer marrëdhënie seksuale me të disa herë, me kërkesë të Maxwellit.
Andrew, i biri i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, ka mohuar akuzat e saj, duke thënë se nuk i kujtohet ta ketë takuar atë ndonjëherë. Akuzat e kanë dëmtuar reputacionin e tij publik dhe kanë bërë që Andrew të tërhiqet nga disa prej detyrave të tij monarkike.
Giuffre dhe Andrew janë marrë vesh mes vete më 2022, pa u përballur në gjyq.
Në dokumentet e publikuara këtë javë përmenden akuzat e Giuffres, ndërsa në to përfshihet një transkriptim i një dëshmie, gjatë dhënies së të cilës ajo është pyetur nga avokatët e Maxwellit nëse i ka sajuar disa nga historitë e saj për burrat e fuqishëm, për të tërhequr vëmendjen e gazetarëve.
Giuffre ka ngulmuar se ka thënë të vërtetën, dhe se pasaktësitë në disa prej intervistave të publikuara të saj kanë qenë gabime të gazetarëve.
Dokumentet e porsazbuluara gjyqësore përfshijnë, po ashtu, një version më të hollësishëm të një rrëfimi të njohur nga një prej viktimave të Epsteinit, Johanna Sjoberg, e cila ka përshkruar një mbrëmje në shtëpinë e tij në Nju-Jork, ku kishin qenë të pranishëm Giuffre, Maxwell dhe princi Andrew.
Në një moment, ajo ka thënë se ata e kanë nxjerrë një kukull të princit Andrew, e cila ishte krijuar për një program televiziv britanik.
“Dhe, ata vendosën ta bënin një foto me të, në të cilën Virginia dhe Andrew qëndronin ulur në një divan”, ka thënë Sjoberg. “Ata vendosën kukullën në prehrin e Virginias, ndërsa unë u ula në prehrin e Andrew, dhe ata e vunë dorën e kukullës në gjoksin e Virginias, ndërsa Andrew vuri dorën e tij në gjoksin tim, dhe ata e shkrepën foton”.
Bill Clinton
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka udhëtuar disa herë me avionin privat të Epsteinit, dhe në një rast ka lëvduar publikisht zgjuarsinë dhe përpjekjet filantropike të financierit.
Sjoberg ka dëshmuar se, përderisa nuk e ka takuar kurrë Clintonin, Epstein një herë i kishte thënë asaj se “Clintonit i pëlqejnë të rejat”. Ajo e kishte kuptuar këtë koment si referencë për gratë apo vajzat e reja.
Megjithatë, Clinton nuk është akuzuar për ndonjë vepër të ndaluar, nga asnjëra prej viktimave të Epsteinit. Ai ka thënë më parë, nëpërmjet një zëdhënësi, se ndonëse ka udhëtuar me avionin e Epsteinit, kurrë nuk ka vizituar shtëpitë e tij, nuk ka pasur njohuri për krimet e tij dhe se nuk ka folur me Epsteinin që prej dënimit të tij në Florida.
Dokumente të tjera të publikuara përfshijnë argumente ligjore mbi atë nëse Clinton duhet të japë dëshmi. Avokatët e Giuffres kanë argumentuar se ish-presidenti amerikan ka qenë “person kyç, i cili mund të japë informata për marrëdhënien e tij të ngushtë” me Epsteinin.
Donald Trump
Të dhënat përmendin shkurt ish-presidentin tjetër amerikan, Donald Trump, i cili është shoqëruar me Epsteinin, por, po ashtu, nuk akuzohet për vepër të ndaluar. Videoxhirimet e publikuara nga NBC News, pas akuzave federale ndaj Epsteinit më 2019, kanë shfaqur dy burrat duke biseduar në një ndejë në kompleksin Mar-a-Lago të Trumpit, më 1992.
Videoja ishte xhiruar si pjesë e një profili për Trumpin, i cili sapo ishte divorcuar asokohe. Ajo shfaq Trumpin të rrethuar nga gra të reja, të cilat NBC i ka identifikuar si nxitëse tifozësh të klubit amerikan të futbollit, Buffalo Bills.
Më vonë, në video, Epstein mbërrin në kompleksin e Trumpit në Florida, dhe dy burrat shihen duke biseduar dhe duke bërë gjeste drejt grave që po vallëzonin.
“E njihja atë siç e njihnin të gjithë në Palm Biç”, ka thënë Trump pas publikimit të videos. “Ai ishte i njohur në Palm Biç. Kam pasur një mosmarrëveshje me të shumë kohë më parë. Nuk mendoj se kam folur me të qe 15 vjet”, ka shtuar ish-presidenti amerikan.
Stephen Hawking
Dokumentet e reja përfshijnë një referencë të vetme për fizikanin e ndjerë, Stephen Hawking.
Emri i tij paraqitet, i shkruar gabimisht, në një email që Epstein kishte dërguar, ku kishte propozuar shpërblim për këdo që, sipas tij, do të hidhte poshtë një pretendim të pabazë se Hawking kishte marrë pjesë në një “orgji me persona të mitur”.
Hawking, i cili ka vdekur më 2018, kishte marrë pjesë në një prej takimeve akademike të Epsteinit, më 2016.
Glenn Dubin
Dokumentet përfshijnë një pretendim nga Giuffre se asaj i kishin bërë trysni të kryente marrëdhënie seksuale me miliarderin Glenn Dubin, një akuzë që ai e ka mohuar. Giuffre ka thënë në dëshminë e saj se Maxwell “më ka thënë të shkoj te Glenn Dubin dhe t’i bëj atij një masazh, që do të thotë seks”.
Dubin ka thënë se ka regjistrat e fluturimeve dhe prova të tjera që dëshmojnë se akuzat e Giuffres kundër tij janë të pabaza.
Epstein ka pasur një lidhje dashurie me Eva Andersson-Dubin, e zgjedhur “Miss Suedia”, gjatë mesit të viteve të 1980-ta, dhe se të dy kanë mbetur miq pas ndarjes.
Andersson-Dubin më vonë u martua me Glenn Dubinin, me të cilin ka tre fëmijë.
Andersson-Dubin ka dëshmuar në gjykimin federal të Maxwellit, duke thënë se i ka besuar Epsteinit afër vajzave të saj të reja, dhe ka mohuar se ka marrë pjesë në marrëdhënie seksuale në grup me një të akuzuar kyç.
Bill Richardson
Giuffre pretendon, po ashtu, se është përballur me trysni për të kryer marrëdhënie seksuale me ish-ambasadorin amerikan, njëherësh ish-guvernator i Nju-Meksikos, Bill Richardson.
Në dokumentet e reja Richardson përmendet shumë pak – përfshirë një dëshmi në të cilën Giuffre thotë se ajo ishte urdhëruar t’i bënte atij masazh.
Richardson, i cili ka vdekur vitin e kaluar, më parë ka thënë se pretendimet e Giuffres ishin të rreme.
Një zëdhënës më 2019 ka mohuar se ai është takuar ndonjëherë me Giuffren.
George Mitchell
Ish-senatori amerikan, George Mitchell, është, po ashtu, në mesin e burrave që Giuffre pretendon se kanë abuzuar.
Sikurse Richardson, edhe Mitchell ka mohuar të jetë takuar ndonjëherë me të.
Mitchell përmendet fare pak në dokumentet e reja.