Merr fund tmerri në një stacion televiziv në Ekuador, ku stafi u rrëmbye nga persona të armatosur të cilët kërcënonin gjithashtu se kishin me vete edhe bomba.
Policia ekuadoriane bën me dije se më në fund arriti të lirojë të gjithë stafin e mbajtur peng të medias, si dhe ka arrestuar 13 persona.
BBC raporton se dy punonjës të stafit janë plagosur gjatë ngjarjes.
“Një kameraman u qëllua në këmbë dhe një tjetri iu thye krahu në sulm”, tha zëvendësdrejtori i lajmeve.
Ndërkohë Agjencia e lajmeve AFP raporton se gjatë pengmarrjes dëgjoheshin të bërtitura “Mos qëlloni, ju lutem mos qëlloni”.
“Nga kufjet më erdhi një zë që thoshte: Kini kujdes, ata po përpiqen të hyjnë, po vjedhin, po na grabitin”, tha Jorge Rendon për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Dyert në studio janë shumë të trasha, pothuajse të papërshkueshme nga plumbat, dhe ata po përpiqeshin të hynin sepse donin të kishin akses në studio, kështu që ne do të transmetonim live gjithçka që ato do të na urdhëronin”, tha ai.
Duke postuar video të të dyshuarve të arrestuar në mediat sociale dhe armët e tyre, policia tha se autorët do të “dënoheshin për akte terroriste”.