Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se është e vërtetë që ka menduar se korrigjimi i kufirit është zgjidhja më e mirë me Kosovën, por më nuk mendon kështu sepse rrethanat kanë ndryshuar.
Siç raportojnë mediat serbe, sot në Kuvendin e Serbisë, duke iu përgjigjur pyetjes se cila është zgjidhja e tij për Kosovën, Vuçiq tha se sot po e shikon qëndrimin në mënyrë realiste, sepse situata politike ka ndryshuar në 28 vitet e fundit, “jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”.
“Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas 2008, as 2010, e gjithë kjo mbart diçka me vete”, tha Vuçiq, duke shtuar se disa lëvizje e vështirësuan pozitën.
“Nuk po fsheh asgjë, mendova se korrigjimi i kufirit ishte zgjidhja, por e kuptova se ishte e pamundur, sepse të gjithë mu hodhët mbi kokë”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur deklaratës së deputetit Aleksandar Jovanoviq të partisë “Moramo Zajedno” se politika e Vuçiqit ndaj Kosovës ishte fillimisht “toka e shenjtë serbe”, pastaj korrigjim dhe ndarje, kurse “sot e kemi atë që kemi”.
“Po ju pyes se cila është zgjidhja juaj e saktë për Kosovën”, tha Jovanoviq dhe deklaroi se “Kosova po ndodh në gjithë Serbinë” dhe se nuk ka ndonjë dallim të madh mes Kosovës në vitin 1999 dhe Gornja Nedeljicës në vitin 2022.
Jovanovia ia kujtoi Vuçiqit një projekt të mëparshëm kur serbët dhe shqiptarët mbollën luleshtrydhe së bashku, mbrojtën lumin e tyre së bashku dhe njoftuan se do të instalonin panele diellore në shtëpitë serbe dhe shqiptare në Gorazhdec.
Vuçiq u përgjigj se e përkrah idenë e kultivimit të përbashkët të luleshtrydheve, sepse është ideja e Ballkanit të Hapur.
“Por pa flamurin e Kosovës së pavarur, ky është dallimi krahasuar me ju”, tha Vuçiq.
“Dhe kur thua se Kosova po ndodh në Nedeljice, aty lista ime fitoi 109 vota, kurse ju dy vota, vetëm duhet të shihni se çfarë mendojnë njerëzit në Gornja Nedeljica”, tha Vuçiq.