Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar këtë të shtunë Komunën e Gjakovës dhe Rahovecit për të parë nga afër gjendjen pas vërshimeve dhe reshjeve të shumta.
Sveçla njoftoi se me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kanë vizituar familjet në lagjet të cilat janë të prekura nga vërshimet.
“Gjatë kësaj vizite kuptuam nevojat e qytetarëve dhe ofruam përkrahjen e parezervë të organizmave reagues me qëllim të tejkalimit të situatës”, shkroi ai në Facebook.
Ndërsa, me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se kanë vizituar fshatin Fortesë për t’u njoftuar për dëmet të cilat janë shkaktuar nga reshjet e mëdha të shiut.
“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim të familjeve në lagje të ndryshme. Policia e Kosovës dhe FSK është në koordinim të ngushtë me dy Komunat që t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve gjatë tërë kohës”, shkroi tutje ministri Sveçla.