Pas nënshkrimit të dekretit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, kanë nisur reagimet e udhëheqësve perëndimorë, të cilët e shohin këtë si “shenjë paniku”.
Gjatë adresimit televiziv, Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata” për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se fjalimi i Putint dëshmon se ai “nuk është i interesuar për paqe”.
“Ai është i interesuar për luftë dhe përshkallëzim. Kjo është një tjetër shenjë e dëshpërimit për mënyrën se si po zhvillohet agresioni i tij kundër Ukrainës”, tha Stano.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Putin, me njoftimin e tij për mobilizimin ushtarak, “është duke pranuar se pushtimi [i Ukrainës] është duke dështuar”.
Putin mobilizon rezervistët për luftë dhe kërcënon Perëndimin
Qeveria gjermane tha se njoftimi i Putinit tregon se “sulmi rus në Ukrainë nuk është i suksesshëm”.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është “shenjë paniku” në Kremlin, që “nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin”.
Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, tha se vendi i tij po e monitoron nga afër situatën.
“Për sa i përket rrethinës së Finlandës, mund të them se situata ushtarake është e qëndrueshme dhe e qetë”, tha ai.
Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.
Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan, tha se kërcënimi i Putinit ndaj Perëndimit “është drithërues”.
“Është një kërcënim serioz, por është një kërcënim që është bërë më parë”, tha ajo për BBC-në.
Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt.