Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur krizat që kanë kapluar vendin dhe sipas tij fajin kryesor e ka qeveria Kurti
Hoti përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, kriza në arsim, në shëndetësi, politikë të jashtme, ekonomi dhe në dialog u harruan tërësisht nga Qeveria.
Hoti ka shprehu shqetësimin e tij edhe për grevën, ku thotë se Qeveria po bën luftë me sindikata.
Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:
Krizë mbi krizë deri tek rënia e qeverisë
1. Krizë në arsim:
Një muaj nxënësit rrinë në shtëpi. Në vend që të dialogohet 24 orë deri të gjendet zgjidhja, qeveria bënë luftë me sindikata. Shtyhet ligji i pagave pa nevojë, por as nuk plotësohet kërkesa e sindikatave për 100 euro shtesë në muaj, edhe pse e realizueshme në aspektin buxhetor.
2. Krizë në shëndetësi:
Ministri i Shëndetësisë është non-ekzistent, ai është ministër me korrespondencë. Si rezultat, Kryeministri merr përsipër detyrat e ministrit duke kryesuar vetë një komision qeveritar për shëndetësi.
3. Krizë në politikën e jashtme:
Asnjë njohje apo anëtarësim për një vit e gjysmë. Shumë ambasada, e në veçanti ato në vendet kryesore mike janë me mungesë të stafit esencial. Grevë e stafit të MPJ-së për shkak të trajtimit joadekuat. Gafa të vazhdueshme të ministres dhe mungesë elementare e njohurive në diplomaci.
4. Krizë në ekonomi:
Qeveria nuk e ka idenë se si të përballohet inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Nuk ka konsultime me komunitetin e biznesit. Investimet e jashtme më të ulëta se në vitin 2019. Shpenzimet kapitale të qeverisë në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjëherë me vetëm 9%. Papunësia mbetet aty ku ka qenë më 2019. Bilanci bankar i Qeverisë arrin në 600 milionë euro, me kosto të mëdha oportune për qytetarët dhe bizneset.
5. Dialogu në udhë pa krye:
Përveç një togfjalëshi absurd se “njohja duhet të jetë në qendër”, (pse jo në lindje apo perëndim, në të djathë apo në të majtë, në fillim apo në fund?), që përsëritet pa pushim, tjetër parim të dialogut nuk ka. Askush nuk di se çfarë po bisedohet. I kanë sharë marrëveshjet e mëparshme, e tash ato dolën që janë të duhura për të vendosur sovranitetin shtetërorë në tërë territorin. Deklarimet e forta se: nuk ka dialog me Serbinë por me serbët lokal, se nuk ka dialog pa kërkim falje, nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve e të tjera, u harruan plotësisht. Vendin e tyre e zunë darkat e përbashkëta. /Kosovatimes/