Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka thënë se takimi i Pragës synon krijimin e një rendi të ri, pa Rusinë.
“Kjo nuk do të thotë se ne duam të përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend. Ky është sinjali që duam të dërgojmë, sepse fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar”, u ka deklaruar Borell gazetarëve, në prag të fillimit të samitit në të cilin zyrtarisht do nisë Bashkësia Politike Evropiane (BPE).
BPE do jetë platformë për koordinim politik për të gjitha vendet e kontinentit. Përmes kësaj platforme, mëtohet forcimi i dialogut dhe bashkëpunimi në adresimin e sfidave dhe interesave të përbashkëta drejt forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në tërë kontinentin evropian.
Të ftuar për pjesëmarrje janë 27 liderë nga shtete anëtare të Bashkimit Evropian si dhe 17 liderë nga shtete të kontinentit evropian, e të cilat nuk janë anëtare të BE-së.
Praktikisht janë të ftuar të gjitha shtetet e kontinentit më të vjetër, duke përjashtuar vetëm Rusinë dhe Bjellorusinë.
Përfaqësimi i liderëve do jetë i barabartë, kanë konfirmuar zyrtarët e BE-së, duke nënvizuar se do jetë përfaqësim sipas modelit “Gymnich”, që nënkupton vetëm paraqitjen e emrit dhe mbiemrit të pjesëmarrësve, pa shënim të funksionit apo simboleve tjera shtetërore.
Kosovën në samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
Merret vesh se në margjinat e takimit, ajo do zhvillojë një numër të takimeve bilaterale me homologët e saj evropian.
Ndër takimet më të rëndësishme që priten të zhvillohen janë ato me kancelarin gjerman Olaf Scholz si dhe presidentin francez Emanuel Macron.
Takim të njëjtë do të ketë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, i cili gjithashtu merr pjesë ne samitin e Pragës.
Ndryshe, sipas ideve preliminare, planifikohet që samitet në kuadër të BPE të zhvillohen dy herë ne vit.
Sipas planit, takimi i radhës do mbahet në një shtet që nuk është pjesë e BE-së. Britania e Madhe si dhe Moldavia tashmë kanë ofruar kryeqytetet e tyre, Londrën përkatësisht Kishinaun, që të janë nikoqire të takimit të radhës.
Vendi i ardhëm ku mbahet samiti do komunikohet në përfundim të takimit të sotëm. /Kosovatimes/