Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, bashkë me Drejtorin Gjeneral të mediumit publik, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe anëtarë të tjerë të Bordit janë përballë deputetëve të Kuvendit, anëtarë të Komisionit për Buxhet e Transfere duke raportuar për raportin financiar të korrik- shtator derisa aty do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës për ndarje buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën tetor-dhjetor 2022.
Në fjalën e tij kreu i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se menaxhimi financiar ka vazhduar mirë përkundër sfidave të mëdha që ka pasur RTK-ja për shkak të buxhetit të vogël.
“Megjithatë jemi angazhuar të kemi shpenzime sa më racionale dhe kursime. Kemi tentuar të kursejmë në disa aspekte si në mbulimin e disa ngjarjeve rajonale e ndërkombëtare, shkurtim i përdorimit të veturave zyrtare brenda qytetit si dhe uljet e shpenzimeve për telefoni e të tjera që kanë pasur e kanë rëndësi për ne meqë e kemi buxhetin goxha të limituar”, tha para Komisionit ai.
Kreu i Bordit të RTK-së tutje tha se këtë vit po përmbyllin pa krijuar borxhe të reja.
“Përkundër vështirësive ekzistenciale ne kemi arritur t’i barazojmë e t’i shlyejmë disa borxhe në vlerë prej 176 mijë euro”, tregoi ai.
Derisa ka bërë krahasim të së njëjtës periudhë me atë të viti 2021, Boletini tregoi se janë 340 mijë euro më pak të paguara për paga për bashkëpunëtor, tash në këtë periudhë të vitit 2022.
Në kuadër të kompletimit të menaxhmetit dhe rëndësisë financiare të saj, kreu i Bordit i njoftoi anëtaret e Komisionit për Buxhet se javën e kaluar me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm e sipas legjislacionit në fuqi kanë emëruar udhëheqësin e shërbimeve të përbashkëta, pozicion ky siç tha ai shumë i rëndësishëm edhe për aspektin financiar edhe për aspektin e riorganizimit.
Tutje ka treguar se në kuadër të reformave dhe funksionimit të mirë u është ndërpre marrëdhënia e punës disa personave që nuk kanë vijuar punën e kjo siç ka thënë ai tregon për qasjen strikte që është krijuar sa i përket vijueshmërisë në punë.
Ai tha se nuk ka ndodhur prej një dekade që RTK-ja të ketë buxhetin më të vogël se së ka pasur këtë vit.
“Kjo ka qenë alarmante dhe shqetësuese për ne dhe shpresojmë që këtë vit do të keni në konsideratë këtë çështje sepse me numrin aktual të punëtorëve që i kemi dhe me të hyrat, do të jetë e pamundur të funksionohet”, tha ai.
Ndërkohë si sfidë të vazhdueshme Boletini i ka paraqitur borxhet e trashëguara prej 1. 6 milion euro që tregoi se përmbaruesit ia kërkojnë RTK-së.