Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka drejtuar thirrje ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca, që të iniciojë një grup të ekspertëve të shëndetit mendor për ofenduesit në rrjete sociale.
Përmes një letre publike, Jasharaj ka thënë të hënën se nevojiten mjekët e shëndetit mendor.
“Në gjithë botën, vetëm te ne shahen e fyhen vlerat e luftës, vlerat e arsimit shqip dhe demokracia e nuk ndalen deklarimet se duhet krijuar taborë nëpër lagje për të luftuar e për t’ua nxirë jetën atyre që mendojnë ndryshe nga pushtetmbajtësit e përkohshëm”.
“Në shtetin që ti je kryetar i parlamentit nuk është mirë që Elvisat, Yllat, Dibranat, Ramabajat e do individë pa as edhe një element të njerëzores nëpër rrjete sociale të krijojnë shtet të shumicës momentale dhe të pakicës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, këta ekspertë duhet të angazhohen në emër të ardhmërisë së Kosovës.
“Gëzohemi që dikush shanë e fyen mësuesin e viteve të 90-ta. Gëzohemi që ‘analistë’ dalin e thonë se paskemi 76 % të nxënësve analfabetë. Gëzohemi e thërrasin në studio njerëz ‘analistë’ që thonë se atë që kanë mësuar e kanë mësuar në fakultet, që do më thënë shkronjat i paskan mësuar në fakultet”.
Jasharaj, në këtë letër ka përmendur edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Te ne i gëzohemi pse i kemi çlirimtarët në burg. I gëzohemi se po arrijmë të vëmë në sprova sindikatat, po gëzohemi kush shajmë e fyejmë figurën e mësuesit. Gëzohemi pse nuk ka as edhe një debat për krimet që ka bërë pushtuesi nëpër vite”.
“Kryetar demokracia kështu ndjehet keq dhe e sfiduar”, ka përfunduar Jasharaj.