Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konference për shtyp pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur, edhe për çështjen e targave të automjeteve, të cilat qytetarët serbë të Kosovës po hezitojnë t’i ndryshojnë.
“Shumë shkurt dhe shumë qartë. Mendoj se është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen. Rregullat janë të qarta dhe duhet të respektohen në çdo shtet”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.
Presidentja e KE-së deklaroi se nëse ka periudhë transitore, atëherë tranzicioni duhet të jetë përfshirës dhe të shkojë siç duhet. “E di se është duke u punuar për të gjetur një zgjidhje”, tha Von der Leyen.
Ajo është ndalur edhe te çështja e liberalizimit të vizave, ku ripëseriti se Kosova ka plotësuar të gjitha standardet e nevojshme.
“E kemi thënë në vitin 2018 dhe e kemi përsëritur edhe këtë vit, para disa javësh. Në aspektin teknik janë plotësuar standardet”, tha Von der Leyen duke shtuar se Komisioni do të mundohet ta bind tërë Këshillin”.
Lidhur me sistemin e sigurisë, ETIA, që është përmendur si propozim nga Franca që të pritet që Kosovës t’i liberalizohen vizat, kur ai sistem të hyjë në funksion në nëntor 2023, Von der Leyen tha se- “ky sistem është i pavarur nga ky proces (liberalizimi i vizave)”.
“Është proces i rëndësishëm për BE. Të gjithë e dini sistemin ESTA për SHBA-në dhe është praktikisht sistem i njëjtë”, tha Von der Leyen.
“Ky sistem do të jetë i pavarur nga kriteret për viza”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj deklaroi se takimi me presidenten Osmani ishte shumë i mirë dhe është njoftuar pers ë afërmi edhe një herë me përparimin që ka arritur Kosova.
“Keni punuar shumë dhe vendi juaj vazhdon të demonstrojë përkushtim të madh në rrugëtimin evropian”, tha Vond er Leyen. “Keni treguar vlerat tuaja drejt integrimit evropian dhe me përafrimin e plotë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë”.
Më tej, presidentja e KE-së u shpreh se Kosova ka ndërmarrë reforma dhe kjo punë e zellshme është reflektuar edhe në raportin e fundit për zgjerim, e që është shumë pozitive për Kosovën.
“Keni bërë përparim edhe në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, jo vetëm duke ndërtuar gjyqësorin, por edhe ekonomi solide”.
Presidentja Von der Leyen e pranoi se e ka dëgjuar shumë mirë presidenten Osmani, sa i përket liberalizimit të vizave të qytetarët e Kosovës.
“Ta dini se keni aleatë. Kosova meriton liberalizim e vizave dhe i keni përmbushur të gjitha standardet”, tha Von der Leyen.
“E kemi rikonfirmuar si Komision Evropian se keni plotësuar të gjitha kriteret”.
Ajo tha se detyra tashmë është që të bindet tërë Këshillin Evropian për liberalizim të vizave – “e shumica janë në anën tuaj”.
“E mira është që bisedimet kanë filluar, por mund të llogarisni tek unë personalisht dhe Komisioni, sepse keni bërë punë mbresëlënëse, përkundër shumë vështirësive”.
Ndër të tjera, presidentja e KE-së foli edhe për luftën në Ukrainë duke rikujtuar se është Rusia ajo që po terrorizon qytetarët e atjeshëm, duke bombarduar objektet civile, me qëllim që ata të mos kenë rrymë e ngrohje, ndërkohë që dimri po afron.
“E Rusia po e shfrytëzon energjinë si armë”, tha Von der Leyen.
“Edhe ju jeni prekur, por ju sigurojmë se BE asnjëherë nuk do të dorëzohet pranë këtij shantazhi, sepse jemi përkrah me ju”.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen deklaroi se është me rëndësi që Kosova të ketë qasje në blerjen e gazit.
“Biseduam në hollësi për sfidat e ndryshme dhe kam besim se vetëm duke punuar së bashku, një ditë do të jeni pjesë e BE-së dhe e mirëpres këtë po aq sa edhe ju”.
Osmani: Të palëkundur pro BE-së, por ende të izoluar me viza nga BE
Presidentja Osmani deklaroi se vizita e presidentes Von der Leyen konfirmon përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj Kosovës e rajonit, në këtë periudhë përcaktuese për të gjithë kontinentin. “Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë pranë në përballje me krizat, si atë energjetike”, tha presidentja Osmani.
Ajo më tej u shpreh se beson që ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete për integrimin e vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat e BE-së- “që është parakusht për paqe e stabilitet”.
“Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa serioz për integrime”, tha Osmani, duke lënë të kuptohet e ka vende të tilla si Serbia, që janë kundër integrimit në strukturat euro-atlantike, por e cila mban kursin e saj drejt Rusisë.
Duke iu drejtuar presidentes Von Der Leyen, presidentja Osmani rikujtoi e ajo është në dijeni për përkushtimin e saj për integrimin e rajoni të Ballkanit Perëndimor, prandaj beson se vizita e saj është dëshmi për këtë.
“Ne radhitemi të parët në Evropë e të parët në ëë për forcim të ligjit, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zëmër të kontinentit”, tha Osmani, duke ia rikujtuar presidentes së KE-së, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, madje që nga viti 2018.