Ndonëse takimin e ka braktisur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili më vonë në rrjetet sociale tregoi arsyen (deklarimin e Haradinajt mund ta gjeni më poshtë në këtë lajm v.j), takimi mes kryeministrit Kurti me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar për rreth një orë e gjysmë. Krasniqi është shprehur se partia që ai drejton, i jep përkrahje Qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe që kjo e fundit duhet të ndërmarrë.
“Pra, për veprimet që të kanë të bëjnë me ruajtjen e integritetit të Kosovës dhe integrimin”, tha Krasniqi para mediave.
Ai deklaroi se në takim është diskutuar edhe për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë. “Ne kemi deklaruar se në vend që sot të fokusohemi te marrëveshja finale, tani po merremi me tema të tjera”, tha kryetari i PDK-së.
Ai tha se në takim kanë shkuar për ta dëgjuar kryeministrin për situatën. “Por nuk jam i sigurt se në çfarë rruge ka hyrë dhe a do të dalim suksesshëm”. /Kosovatimes/