Tani në vitin e 5-të, thirrja për tu bërë pjesë e Klubeve të Super-Vullnetarëve të organizatës TOKA, ka pranuar aplikime te shumta nga vajza dhe djem, nga anembanë Kosova.

 

Përgjatë 9 muajve në Klubet Super-Vullnetare, këta të rinjë – nëpërmjet aktiviteteve edukative në klube – zhvillojnë shkathtësitë e tyre, shoqërohen me njëri-tjetrin, dhe njëkohësisht përgatiten që të intervenojnë për të zgjidhur një problem praktik që ata/ato vet e identifikojnë në vendbanimin e tyre.

Deri më tani, Klubet Super-Vullnetare kanë krijuar mbi 5,000 vullnetarë të cilët kanë kryer mbi 200 projekte komunitare dhe intervenime në vendbanimet apo shkollat e tyre, që si rezultat, kanë përmirësuar jetën për mbi 25,000 qytetarë të Kosovës.

Klubet e Super-Vullnetarëve, qëllimin kryesor e kanë që nëpermjet programit të “Vullnetarizmit Edukativ”, të mësojne dhe përgatisin vajzat e djemt (kryesisht nga vendet rurale) që të zhvillohen në qytetarë aktiv, të cilët përdorin njohurinë dhe vullnetin e tyre për të përmirësuar vendbanimin apo shkollat e tyre.

Financimi i aktiviteteve të Klubeve Super-Vullnetare bëhet nga Organizata “TOKA”, dhe shpeshherë klubet bashkëpunojnë dhe gjejnë ndihmë në resurse humane dhe financiare nga prindër, shkolla dhe biznese të ndryshme.

“Klubet vullnetare më kanë rritë, mentalisht, dhe më kanë bërë më shumë të vëmendshëm për problemet që i kemi dhe mënyrat se si mundemi ne, si grup, që të bëjmë diçka – çkado – në mënyrë që të zgjidhim këto probleme. Kaniherë zgjidhjet janë shumë të thjeshta, por vetëm duhet vullnet, komunikim, bashkim. Eh, Klubet janë vende ku të gjitha këto ndodhin” , shprehet një prej Super-Vullnetarëve.

“Për ne si organizatë, të shohësh vullnetin, energjinë, dëshirën e të rinjëve që dëshirojnë të përmirësojnë vendin ku jetojnë, që t’i ndihmojnë të tjerëve, është ajo çka na shtyen përpara” – shprehet Hatixhe Zeka, udhëheqëse e programit të “Vullnetarizmit Edukativ” në Organizatën “TOKA”.