Referuar një dokumenti të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, më 13 dhjetor Bosnje e Hercegovina pritet të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.
Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.
Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha atëherë se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.
Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.
Por, Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.
Disa shtete – sikurse Austria, Kroacia dhe Sllovenia – kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë, pasi Moldavia dhe Ukraina në qershor morën statusin e vendit kandidat.
Të tjerët, përfshirë Holandën, janë shprehur kundër zgjerimit, edhe pse pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.