Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për përfshirje në korrupsion dhe kanë kërkuar dorëheqjen e ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj. LDK kërkon që Berishaj të shkarkohet menjëherë nga detyra, ndërkohë i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të zhvillojë hetime detajuara për qarkullimin e parave të kompanisë së Berishajt.

“Kjo qeveri është zhytur në korrupsion që nga dita e parë e saj. Më e keqja, korrupsionit të tyre dhe të njerëzve të tyre më të rëndësishëm nuk po i duket fundi. Gati secili institucion që udhëhiqet nga njerëzit e tyre është zhytur e fundosur në korrupsion fund e krye. Edhe më keq, kjo udhëheqësi jo që nuk po i shkarkon të korruptuarit, por po i mbron me gjithë arsenalin e saj”, deklaroi Besjan Mustafa në konferencën e sotme për media.

Ai tha se korrupsioni përveç që ka ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës, ka shkatërruar edhe reputacionin e vet shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

“Berishaj nuk është një qytetar i thjeshtë dhe nuk është vetëm një ambasador. Ai është ndër themeluesit e partisë në pushtet dhe deri vonë ka qenë anëtarë i kryesisë së kësaj partie, pra njeri i rrethit të ngushtë vendimmarrës të saj”, deklaroi Mustafa.

Edhe deputeti Driton Selmanaj tha se ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroacis, Martin Berishaj tash e sa muaj sipas mediave sllovene dhe kroate gjendet në qendër të një skandali të madh financiar me përmasa ballkanike.

“LDK shpreh shqetësim për raportimin e këtyre mediave për afera milionëshe ku për protagonist kanë jo vetëm ambasadorin Martin Berishaj por edhe patronin e tij kryeministrin Albin Kurti”, konsideron Seljmanaj.

LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit Martin Berishaj, ndërsa nga Prokuroria e shtetit kërkon që të zhvillojë hetime të detajshme të qarkullimit të parasë së kompanisë së Berishajt, duke i përfshirë në hetim edhe kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla-Shwartz.

“Nëse vërtetohen transaksionet financiare të kompanisë së ambasadorit Berishaj, ku përfshihen edhe transaksionet gjatë viteve 2020-2021 dhe 2022, kërkojmë hetim nga Prokuroria e Shtetit për Martin Berishaj për të konstatuar nëse ai ka konsumuar vepër penale sipas nenit 383 të Kodit Penal për “Deklarim të rremë nën betim”, kur ka dëshmuar pranë komisionit hetimor parlamentar me 17 nëntor 2022, ku kishte thënë për kompaninë e tij “MB Consulting” “se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020”. Ju kujtojmë se konsumimi i kësaj vepre penale parasheh dënimin deri në 5 vite burgim”, konsideron LDK.

Rasti i fundit i Ambasadorit Berishaj ka dërguar mesazh të qartë në çdo cep të Botës se kjo Qeveri është e korruptuar deri në palcë dhe lufton ditë e natë, jo kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, por krahpërkrah me korrupsionin dhe të korruptuarve. z. Berishaj nuk është një qytetar i thjeshtë dhe nuk është vetëm një Ambasador, ai është ndër themeluesit e partisë në pushtet dhe deri vonë ka qenë anëtarë i kryesisë së kësaj partie, pra njeri i rrethit të ngushtë vendimmarrës të saj.