Presidenca e Kosovës ka njoftuar, Vjosa Osmani, do të presë të premten në takim, dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Zyra për Media e Presidencës ka njoftuar se takimi Osmani-Escobar do të fillojë nga ora 09:00 e paraditës.

Përveç kësaj, është specifikuar se presidentja kosovare dhe emisari amerikan, do të deklarohen për media. “Në orën 10:00, pas takimit, Presidentja Osmani dhe zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, deklarohen për media”, shkruan në njoftimin zyrtar.

Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, do ta presë në takim, zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar.

Emisari amerikan do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kështu konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Shkup. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Escobar do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të mbështetur këtë proces”, thanë për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.