Sikurse shumica e ceremonive mortore ruse, një që u mbajt në veri të qytetit Goriaçi Kliuç kishte kurora shumëngjyrëshe, portrete të të vrarëve, karafila të kuq dhe arkivole të mbuluara me flamuj.
Por, kjo ceremoni që u mbajt më 19 mars, në rajonin që njihet më shumë për banja termale dhe minerale, ishte mbresëlënëse në një mënyrë tjetër: një luftë publike midis administratës lokale dhe themeluesit të kompanisë mercenare të Grupit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.
Kryetari i këtij qyteti tha se ka pasur shumë ushtarë të Wagner-it që u varrosën në këtë vend dhe më mirë do të ishte që ata të varroseshin diku tjetër. I zemëruar, Prigozhin dhe aleatët e tij kundërshtuan kryetarin dhe mbajtën ceremoninë, në të cilën u nderuan të vdekurit dhe u kritikua administrata lokale.
Grindjet rreth varrimeve vijnë mes dyshimeve në rritje për të ardhmen politike të Prigozhinit, i cili është bërë një nga figurat publike më famëkeqe të Rusisë në mes të pushtimit 13-mujor të Ukrainës fqinje. Ish i burgosuri, që ka krijuar pasurinë e tij përmes hapjes së restoranteve në Shën Petersburg, Prigozhin më vonë lidhi kontrata fitimprurëse për furnizim me ushqim me Kremlinin, para se të themelonte Grupin Wagner.
Grupi i mercenarëve, që kanë luftuar në Siri, Afrikë dhe gjetkë, është shndërruar në një forcë të fuqishme luftarake në Ukrainë. Edhe pse Wagner ka pësuar humbje të mëdha, Prigozhin publikisht është përplasur me komandantët e lartë në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke kritikuar kryerjen e operacioneve në fushëbetejë.
Dhe kjo ka nxitur spekulime se ngritja e Prigozhinit është miratuar në heshtje në Kremlin, dhe nëse ngritja e tij mund të jetë drejt fundit.
“Sapo u bë e qartë se ndikimi [i Prigozhinit] po binte, kryetari i qytetit, pas konsultimit me lidershipin, mori miratimin që të refuzonte lejimin e organizimit të ceremonive të tjera të varrimit”, tha Ivan Preobrazhensky, një politolog rus, por që tani vepron jashtë vendit.
“Ka pak të ngjarë që ky është mesazh direkt nga administrata presidenciale. Në vend të kësaj, ka shumë gjasa që është dikush brenda sistemit burokratik rus që e ka kuptuar se Prigozhin thjesht nuk është më aq i frikshëm”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Shumë varre?
Varrezat, që ishin në qendër të përplasjeve të fundit politike për herë të parë u shfaqën në opinion në fundin e vitit të kaluar, kur aktivistët publikuan papritur shfaqjen e dhjetëra varreve. Që nga shkurti, më shumë se 300 varre të reja janë në varrezat Bakinskaja, ndërkaq aktivistët kanë thënë se ata kanë dokumentuar 570 varre të reja të hapura deri këtë muaj.
Pothuajse të gjitha këto varre besohet se janë të ushtarëve që kanë luftuar për Wagner-in në Ukrainë.
Zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar se Wagner ka pësuar numër të madh të humbjeve, veçmas përreth qytetit Bahmut në Donbas, qytet ky që ka qenë në fokus të një sulmi të përgjakshëm, që ka nisur në gushtin e kaluar. Trupat e Wagner-it, përfshirë edhe mijëra të burgosur që u rekrutuan për të luftuar, kanë qenë krye të këtij sulmi. Shtëpia e Bardhë ka thënë se deri në 30.000 luftëtarë të Wagner-it janë vrarë ose plagosur deri më tani.
Përderisa fama e Prigozhinit është rritur, mbështetësit e tij, shumica prej të cilëve janë nacionalistë të linjës së ashpër, kanë tentuar të madhërojnë përpjekjet e luftëtarëve të vrarë të Wagner-it.