Është e qartë se burimi kryesor i kërcënimit në këtë pjesë të botës janë dezinformatat e krijuara nga Rusia, tha sot në Shkup James Rubin, i dërguari special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Siç raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase (mk.voanews.com), vlerësimi i Rubin, i cili po viziton një pjesë të Ballkanit Perëndimor, është se rajoni është i ndikuar fuqishëm nga manipulimet e përhapura nga strukturat e lidhura me Rusinë dhe Kinën.
“Unë do të thosha se hapësira këtu është seriozisht e ‘helmuar’ kryesisht nga dezinformatat ruse. Presidenti Putin mendoi se mund të pushtonte Ukrainën dhe ta ndante Ukrainën, por ai dështoi. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk vazhdon të përhapë ‘helmin’ e dezinformimit dhe ndarjes”, tha ai.
Ai e argumentoi këtë pretendim me faktin se mediat ruse që mbështesin Kremlinin vazhdojnë të veprojnë në Serbi.
Një ndikim i tillë, sipas James Rubin, ka ndikim edhe në dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke folur për Rusinë, ai tha se është i sigurt se në Kremlin ka njerëz që nuk duan që Maqedonia e Veriut të përparojë drejt BE-së.
“Unë jam i sigurt se ata janë ulur diku duke menduar se çfarë të bëjnë për ta bërë atë një problem, dhe gjithçka që mund të them është se qeveria këtu do të punojë me ne për të krijuar një qasje më të gjerë shoqërore për të luftuar dezinformimin, me institucione, ligje, standardet”, tha Rubin.
Rubin më herët në Shkup për luftën kundër dezinformatave ka biseduar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, me zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, ministrin e shoqërisë informatike dhe administratës Azir Aliu dhe ministrin e vetëqeverisjes lokale Rista Penov. dhe veçmas me ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska.
Rubin tha për Zërin e Amerikës se është mirë që qeveria e lartë e Maqedonisë së Veriut është e vetëdijshme për këto probleme në vendin e tyre. Ai paralajmëroi rritje të bashkëpunimit ndërmjet Uashingtonit dhe Shkupit, para së gjithash në nivelin teknik dhe transferimin e përvojës amerikane jo vetëm në luftën kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, por edhe në zbulimin e burimeve.