Krerët institucionalë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të partive politike, kanë përkujtuar viktimat e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Drenasit, kur 24 vjet më parë forcat serbe vranë 77 civilë shqiptarë. Kjo masakër sipas tyre, tregon për gjenocidin shtetëror serbe në Kosovë.
“Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme që tregon se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen. Edhe kjo masakër në Poklek dhe ajo në Çikatovë tregojnë dëshminë që ende nuk ka drejtësi ku Serbia kishte mendësinë e shkatërrimit dhe të mohimit”, deklaroi presidentja Osmani./
Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se tha se kjo ditë e përkujtimit, është ditë e dhimbjes por edhe e krenarisë, sepse falë gjakut të tyre sot Kosova e gëzon lirinë. “Por, ne nuk do të rreshtim kurrë për të kërkuar drejtësi”, deklaroi ai.
Kryeministri Albin Kurti këtë masakër e konsideroi si krim lufte e gjenocid serb ndaj shqiptarëve.
“Nuk ka mjaftuar vetëm vrasja, por u pasua edhe me djegie, sepse plani i tyre ka qenë shfarosja. Kjo masakër është dëshmi e gjallë e gjenocidit, është krim lufte dhe kundër njerëzimit dhe për këtë duhet dënim shtetëror dhe ndërkombëtar”, ka thënë Kurti.