Partia Socialdemokrate e Kosovës të premten ka mbajtur një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës duke vizatuar disa figura të punëtorëve në hyrje të objektit të Qeverisë, duke reaguar për vdekjet e punëtorëve në vendet e tyre të punës.
Donjeta Demolli, anëtare e kryesisë në PSD, fajësoi Qeverinë e Kosovës se nuk ka lëvizur asgjë në gjendjen e mjerueshme të cilën e ka gjetur te punëtorët e ndërtimtarisë.
“Sa ishin në opozitë, Albin Kurti me partinë e tij premtonin shumë për punëtorët, gojën e kishin plotë solidaritet, drejtësi e barazi për punëtorët, e sot praktikat shfrytëzuese fillojnë që në zyrën e kryeministrit. Sot rregulloret e punës e të sigurisë anashkalohen, shfrytëzimi është i shfrenum e rrugëdalja e vetme që punëtorët e sektorit privat janë duke e gjet është migrimi jashtë Kosovës”, tha Demolli përgjatë fjalimit të saj.
Sipas Demollit, vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti 12 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës, ku një nga këta punëtor ishte duke punuar në një projekt të qeverisë.
Nëpërmes këtij aksioni, ata i bën thirrje qeverisë që ta njohë kontributin e punëtorit dhe t’i korrigjojë padrejtësitë sistematike me të cilat përballen ata.
Nga PSD konsiderojnë që punëtorët nuk po dëgjohen, të drejtat e tyre po shpërfillen dhe betejat e tyre janë të padukshme, sepse Qeveria e Kosovës nuk angazhohet për ta.
‘’Ne kërkojmë që qeveria ta adresojë me urgjencë pajisjen dhe masat e sigurisë të rrepta për punëtorët dhe t’i obligojë kompanitë që t’i aplikojnë rregulloret e punës edhe të mbrojtjes së punëtorit, edhe të garantojë pagë të dinjitetshme për secilin punëtor të Kosovës’’, tha Demolli.
Duke ironizuar me dialogun me Serbinë si prioritet numër një për kryeministrin, Demolli ka pyetur se cili është dialogu i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, cili është prioriteti i tyre, dhe kur do të fillojë dialogu me punëtorët e Kosovës.
Sipas tyre, punëtorët po largohen nga Kosova për shkak të kushteve të vështira të punës, për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së vëmendjes së qeverisë ndaj tyre.