Pas vendimeve të Yevgeny Prigozhinit, udhëheqësit të grupit mercenar rus, Wagner, për të urdhëruar dhe më pas ndërprerë dërgimin e trupave të tij në Moskë, Shërbimi gjeorgjian i Radios Evropa e Lirë ka biseduar me Konstantin Eggert, gazetarin e pavarur dhe analistin politik, për atë se si kanë ndikuar këto zhvillime në udhëheqjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni atë që e pamë?
Konstantin Eggert: Është shumë e vështirë ta vlerësojmë atë që e kemi parë, ne definitivisht kemi parë diçka që i ngjante një rebelimi të vërtetë ushtarak kundër Putinit, pavarësisht faktit se Putini nuk është përmendur drejtpërdrejt. Por, është e qartë se kjo e ka minuar dhe do të vazhdojë ta minojë sistemin e Putinit. Tani, Prigozhini ka thënë se e ka ndalur avancimin e mercenarëve të tij, se dëshiron të shmangë gjakderdhje, thuajse nuk e ka menduar këtë gjë kur është nisur drejt Moskës. Ndërmjetësues ka qenë [lideri bjellorus, Alyaksandr] Lukashenka. Prandaj, pyetja se çfarë kemi parë bëhet shumë e rëndësishme, por edhe mbetet pa përgjigje në shumë aspekte, sepse ekzistojnë mekanizma që ne nuk i kuptojmë.
Megjithatë, më lejoni të them një gjë: Këto ngjarje e kanë dobësuar rolin e Putinit në sistemin e tij. E kanë dobësuar aftësinë e tij për ndjekje penale të luftës. E kanë krijuar një kaos në mesin e miliona shërbyesve civilë rusë, në krahët e të cilëve peshon sistemi… mendoj se regjimit të Putinit, siç e kemi njohur, i ka ardhur fundi dhe diçka e re po nis në Rusi. Ndoshta edhe më e keqe, ndonëse është e vështirë të imagjinojmë diçka edhe më të keqe, sidomos nëse jeni ukrainas. Mirëpo, mendoj se mund të themi që Putini nuk e ka më kontrollin e plotë në shtet, dhe se jo vetëm ai mund ta përcaktojë fatin e vet.
Radio Evropa e Lirë: Pse Prigozhini nisi diçka të tillë?
Konstantin Eggert: Në këtë moment nuk na intereson. Mirëpo, fakti që ka qenë Lukashenka ai që e ka ndalur avancimin në Moskë, nënkupton që në sytë e burokracisë ruse, Putini nuk është më në krye. Ai varet nga Lukashenka për të komunikuar me Prigozhinin dhe kjo nënkupton që Putini, i cili thoshte se Prigozhini është tradhtar, tani duhet të negociojë me këtë tradhtar përmes një ndërmjetësuesi, i cili supozohet të jetë partneri i tij i ngushtë.
Prandaj, mendoj nuk kam mënyrë tjetër si ta sqaroj gjithë këtë, përveç se Putini ka qenë shumë i frikësuar dhe i është dashur të dalë disi nga kjo situatë. Prigozhini ka qenë, po ashtu, i frikësuar, sepse ndonëse i ka 15.000 luftëtarë të trajnuar mirë për t’u nisur drejt Moskës, nuk mendoj se ata janë të mjaftueshëm për ta mbajtur qytetin dhe për ta komanduar atë plotësisht. Mendoj që për të dyja palët ka qenë situata ideale që të pretendojnë se e kanë një marrëveshje. Mirëpo, kjo e ngre Prigozhinin në nivelin e Putinit. Dhe, kjo nënkupton që Putini është goditur shumë keq.
Megjithatë, ne tani po përballemi me një realitet të ri politik. Dhe, nuk ka rëndësi nëse në këto kushte një pjesë e mirë e banorëve të shtetit nuk do ta kuptojë saktësisht çfarë ka ndodhur dhe do të vazhdojë të qëndrojë pasive. Një pjesë e mirë, sidomos në jug të Rusisë, do të jetë shumë e shqetësuar me atë që ka ndodhur. Dhe e dyta, tani është e qartë se ata në të cilët varet Putini, në Shërbimin Federal të Sigurisë, në drejtorët, policët, krerët e korporatave, e dinë që Putini nuk e gëzon kontrollin e plotë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të fle Putini natën, duke e ditur ekzistencën e Prigozhinit? Për aq kohë sa të jetë gjallë, a do të jetë rehat?
Konstantin Eggert: Gjithçka që kemi parë deri më tani është version më i mirë i novelës Tom Clancy. Nuk mund ta imagjinoj sesi Putin fle dhe nëse fle, apo nëse do të japë dorëheqje, apo nëse Prigozhini do të eliminohet. Mendoj se Prigozhini e kupton se mundësia e mbijetesës për të nuk është shumë e madhe. Mirëpo tani do të jetë e rëndësishme ta shohim se çfarë do të ndodhë në agresionin kundër Ukrainës. Mendoj që diçka do të shohim shumë shpejt.
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se po shihen çarjet në sistemin e Putinit. Dhe, ky është detaji kryesor që njerëzit e kanë përmendur kurdo që kanë tentuar të sqarojnë jetëgjatësinë e Putinit në pushtet dhe sistemin e tij. Rusët e thjeshtë e kanë toleruar Putinin për kohë të gjatë, sepse ai është zotuar se do të ofrojë stabilitet. Pavarësisht sa keq ka qenë, të paktën stabilitet ka pasur. Por, këtë herë, ndërtesat po digjen, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Rostov-on-Don dhe Voronezh. Çfarë nënkupton kjo për të ashtuquajturën ‘stabilokraci’ të Putinit?
Konstantin Eggert: Sa i përket shoqërisë ruse, situata është e thjeshtë. Pjesa më e madhe e shoqërisë ka qenë e fjetur. Ne nuk kemi parë shumë protestues të Prigozhinit. Ne nuk kemi parë as protestues kundër Prigozhinit dhe asnjë protestë në Moskë për Putinin. Ne nuk kemi parë dikë që është rebeluar në ushtrinë ruse. Është shoqëri që mendon se puna është mirë, sepse falë Zotit i shpëtuam gjakderdhjes dhe të tentojmë t’i kthehemi normalitetit. “Narod bezmolvstvuet” – njerëzit janë të heshtur – është fjalia e fundit e Aleksandar Pushkinit që flet në kohë të trazuara në fillim të shekullit XVII.
Mirëpo, mendoj se fakti që “njerëzit janë të heshtur” nuk është i rëndësishëm për luftën për pushtet, që do të vazhdojë. Ky nuk është më regjimi që e kemi parë përpara. Shumë njerëz do ta shohin Putinin prej një këndi tjetër. Dhe, ne do të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Stabiliteti, siç e kanë proklamuar vendimmarrësit, ka marrë fund. Dhe nuk do të mund të rikuperohet më. Sepse, nëse kjo ka qenë lojë e inskenuar nga Putini, që mendoj se ka pak gjasa, atëherë si mund t’i besoni një personi që bën kësi shaka me ju? Nëse nuk ka qenë, është e qartë se Putini është dashur të bëjë gjithçka për ta mbrojtur veten. Çfarëdo që do të ndodhë, Putinit i është shkurtuar koha e qëndrimit në Kremlin, nëse veç do të qëndrojë aty.
Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht se cilat kanë qenë motivet reale të Prigozhnit, në fund i bie që rusët kanë dashur t’i vrasin rusët tjerë, sepse nuk janë marrë vesh si t’i vrasin ukrainasit. Çfarë flet kjo për Rusinë moderne?
Konstantin Eggert: Kjo vetëm tregon se ekziston një krizë e madhe morale brenda shoqërisë. Krizë morale, e cila frikësohem se mund të rezultojë me një shoqëri ruse që nuk do të mund të bëhet kurrë ajo që do të bëjë diçka të mirë për shtetin. Ajo çfarë ka ndodhur flet për krizën e thellë morale që ekziston në shoqërinë ruse. Nuk ka të bëjë nëse je me apo kundër Putinit, esenca është që është në rregull të vrasësh tjetrin për aq kohë sa nuk të prekë diçka ty. Është në rregull që bandat e armatosura të kapin qytetet dhe më pas të largohen prej tyre.
Është shoqëri ku qytetarët janë pjesë e pakicës. Kjo nënkupton që kushdo që është në Kremlin, mund t’i prezantojë shoqërisë çfarë të pëlqejë. Dhe, ka shumë mundësi që shoqëria i pranon të gjitha. Ky është problemi kryesor. Nuk është çështja armët, apo demografia, sa është e rëndësishme kjo çështje. Është çështje e një shoqërie që pajtohet me secilin urdhër që vjen prej lart. Disa me dëshirë, disa pa dëshirë, dhe disa e izolojnë veten nga realiteti. Prandaj, secili ndryshim do të vijë si pasojë e sfidave mes elitave, dhe jo si revolucion demokratik popullor. Dhe kjo, sipas meje, është perspektiva me të cilën do të përballemi në javët dhe muajt e ardhshëm.