Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivel lokal.
Hoti, në një postim në Facebook, ka shkruar se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, po vazhdojnë investimet e ulëta kapitale dhe grumbullimi i mjeteve në llogarinë bankare të qeverisë. Ai, ka shtua se po vazhdon edhe bllokada e investimeve kapitale në komuna, meqë sipas tij qeveria s’po ua alokon mjetet nga të hyrat vetanake të komunave.
“Sipas të këtij trendi, edhe viti 2023 do të jetë vit i humbur në investimet kapitale, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal”, ka shkruar Hoti.