Pamjet e termocentralit bërthamor më të madh në Evropë mund të shihen nga dritaret e zyrës së Yevhen Yevtushenko, të ndërtuara gjatë kohës sovjetike. Kullat që e rrethojnë atë janë në largësi më pak se 10 kilometra përgjatë lumit Dnjepër, i cili tashmë ka pësuar thatësira për shkak të dëmtimit të digës.
Me pamje fizike të ashpër dhe me mjekër të gjatë, paksa i irrituar dhe pistoletën në bel, Yevtushenko i cili udhëheq Administratën Ushtarake të Qarkut Nikopol, dha mendimin e tij për gjasat e një katastrofe bërthamore.
“Unë mendoj se ka gjasa të mëdha”, tha ai për Radion Evropa e Lirë më 3 korrik.
Yevtushenko kishte marrë paralajmërime të shumta nga zyrtarët ukrainas lidhur me situatën e krijuar në Zaporizhja, aty ku ndodhet termocentrali bërthamor e që është nën kontrollin e Rusisë që nga marsi i vitit 2022, pothuajse dy javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 shkurt të vitit të kaluar urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, gjeneral Kyrylo Budanov, më 23 qershor tha se Rusia ka planifikuar shpërthim në katër prej gjashtë njësive të gjeneratorëve të termocentralit dhe sistemit të ftohjes.
Pa ofruar dëshmi, ai tha se një plan rus për të shkatërruar njësitë është “planifikuar dhe miratuar”, dhe po mungon vetëm urdhri për ta zbatuar këtë plan.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 1 korrik se ka një “kërcënim serioz sepse Rusia teknikisht është e gatshme të provokojë me një shpërthim lokal në atë stacion”, dhe kjo do të shkaktonte rrezatim në shkallë të gjerë. Ai shtoi se “gjendja është shumë e rrezikshme”.
Më 4 korrik, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se gjatë ditës “ishin vendosur pajisje që i përngjanin mjeteve shpërthyese në pjesën e jashtme të kulmeve, në njësinë e tretë dhe të katërt” të centralit bërthamor.
Shtabi tha se nëse shpërthehen këto pajisje do të dëmtohej reaktori, mirëpo ushtria ukrainase sugjeroi se e gjithë kjo mund të bëhej në atë mënyrë që faji t’i vihej ukrainasve.
Zyrtarët rusë kanë rritur tensionet duke pretenduar, pa dhënë dëshmi, se mbrojtja ukrainase po sugjeron se Kiev është duke përgatitur një katastrofë në termocentral dhe për të ta fajësojë Moskën.
“Ky nuk është një spektakël televiziv, por një paralajmërim për një katastrofë”, tha Yevtushenko, i cili ka në zyrën e tij në emblemë të inteligjencës ushtarake ukrainase.
Ai shtoi se “reagimet e komunitetit ndërkombëtar janë çuditërisht të dobëta”.
Termocentrali bërthamor është i kontrolluar nga kompania Rosatom – kompani që kontrollohet nga shteti rus – por operon me një staf ukrainas. Që nga shtatori i vitit 2022, në central u është dhënë qasje jo e plotë ekspertëve nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që është agjenci e OKB-së.
Pas një inspektimi më 30 qershor, shefi i kësaj agjencie, Rafael Grossi, tha se ekspertët nuk kishin gjetur ndonjë dëshmi se ishin vendosur eksplozivë në central, mirëpo shtoi se “atyre ende iu duhet qasje më e plotë në mënyrë që të vazhdojnë inspektimin”, duke përfshirë edhe në pjesën e turbinës dhe sistemit të ftohjes.
Shqetësime për një katastrofë të qëllimshme në central, apo ndonjë aksident që do të shkaktonte zjarr, janë rritur për muaj të tërë. Mirëpo, frika u shtua pas dëmtimit të digës Kahovka në lumin Dnjepër më 6 qershor, që zbrazi pjesën më të madhe të ujit të rezervuarit të saj. Uji nga kjo digë gjendet pranë uzinës bërthamore në qytetin Enerhodar.
Kievi ka fajësuar Rusinë për shkatërrimin e digës, e cila që një kohë të gjatë e kontrollonte atë. Me shkatërrimin e digës, Moska është akuzuar për shkaktimin e një situate katastrofale në jug të Ukrainës, ku janë përmbytur qytete, është dëmtuar toka bujqësore, kanë vdekur banorët që jetonin përgjatë lumit dhe kanë lënë pa qasje në ujë të pijshëm 700.000 banorë të këtij rajoni.
“Nuk kemi ku të shkojmë”
Më 3 korrik, në temperaturat e larta, Viktoria Kutova ishte njëra nga shumë banorë që ishte me shumë shishe të mëdha bosh, kur ajo arriti në një vend ku po shpërndahej ujit në Nikopol. Ajo vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e saj pavarësisht përkeqësimit të kushteve të jetesës në Nikopol.
“Të vjen një ndjenjë se dëshiron të largohesh, por nuk ke se ku të shkosh”, tha Kutova. Një muaj më parë, tregoi ajo, udhëtoi për në Poloni për të takuar kumbarën e vajzës së saj, e cila fluturoi atje nga Izraeli. Por, pas një jave, ajo u kthye dhe vazhdoi të punonte në një kopsht fëmijësh dhe si vullnetare në komunitet.
Kutova tha se ajo do të largohet nga Nikopol vetëm në rast të një katastrofe bërthamore, duke pyetur: “Kush ka nevojë për ne diku tjetër?”.
Ndonëse banorët e Nikopolit janë parë si të qëndrueshëm gjatë më shumë se një viti sulmesh dhe tragjedish kolektive dhe individuale – në temperatura mbi 30 gradë Celsius , njerëzit që prisnin në radhë po përpiqeshin të mbanin humor pavarësisht temperaturave të larta – por shenja dëshpërimi ka në të gjithë qytetin.
Dymbëdhjetëvjeçari Anton, me plagë të thara në duart e tij dhe fytyrë, ishte duke i mbushur gjashtë shishe pesëlitërshe me ujë. Ai tha me zë të ultë dhe të dëshpëruar se kishte ardhur vetëm dhe nuk e dinte se ku ishin shokët e shkollës. Për gati një muaj, ai ka mbushur ujë në të njëjtin vend, çdo ditë.
“Është shumë e rëndë”, tha 12-vjeçari.
Bakteriologia nga kompania e ujit Nikopol, Halyna Blahodyna, e cila po mbikëqyrte vendin ku po grumbullohej uji, tha se banorët e qytetit po lodhen çdo ditë e më shumë. Ajo tha se është në dijeni të një strategjie për evakuim në rast të rrezatimit, duke shtuar se do të ndjekë udhëzimet e autoriteteve.
“Unë jam duke mbajtur jod në kuletën time, këtu afër zemrës, që nga nëntori i kaluar”, tha ajo, duke shtuar, “unë vetëm shpresoj se ne do të kemi qasje në internet”.
Disa komunitete aty pranë, veçanërisht në Nikopol, kohëve të fundit kanë kryer stërvitje emergjente për t’u përgatitur për një katastrofë nga ndonjë rrjedhje e mundshme radioaktive në gjithë rajonin.
Ushtria ukrainase dhe Enerhoatom, korporata e energjisë bërthamore e shtetit, kanë bashkëpunuar për strategjitë se si do të duhej të reagonin në rast të një katastrofe. Më 3 korrik, Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, deklaroi se Ukraina është gati për “çdo skenar”.
Jevtushenko pohoi se Nikopol ka një strategji për evakuimin. Megjithatë, ai parashikoi “panik dhe një element kaosi” në rast të një tragjedie pasi 160.000 njerëz mund të kenë nevojë të evakuohen nga rajoni. Ai shprehu shqetësimin se forcat ruse do të vazhdonin bombardimet gjatë evakuimit të civilëve.
Nikopol sulmohet pothuajse çdo ditë nga forcat ruse të vendosura në të gjithë Dnjepërin. Autoritetet thanë se sulmet ruse kishin shënjestruar Nikopolin dhe qytetin fqinj të Marhanets në fillim të korrikut duke plagosur një civil dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe makina.
Olha Onyshchuk, një 59-vjeçare, banore në Nikopol, si rezultat i sulmit humbi shtëpinë e familjes që trashëgoi nga nëna e saj. Ajo jeton në një shtëpi të re disa metra larg dhe tha se është me fat që shpëtoi.
“Ne nuk kishim energji elektrike në dimër, nuk kemi ujë tani, flemë në korridor dhe fshihemi në bodrum”, tha ajo. “Shpresoj se do të përfundojë së shpejti, por çfarë do të mbetet këtu kur të përfundojë?”, pyeti ajo.
Yevtushenko pretendoi se që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, të paktën 50 civilë në zonën e Nikopolit janë vrarë dhe 233 janë plagosur nga sulmet me artileri.
Ai tha se 900 ndërtesa banimi dhe 2.000 struktura private janë shkatërruar ose dëmtuar.
“Era që fryn nuk ka aleat”
Yevtushenko tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të diskutojë për mënyrat se si të rivendoset siguria në vend se si do të vepronin në rast të një katastrofe bërthamore.
“Ne duhet të krijojmë një zonë të çmilitarizuar këtu”, duke paralajmëruar se forcat ruse të mund të sulmojnë shtratin e tharë të lumit Dnjepër.
Tjetër mundësi është që ushtria ukrainase të shkojë në drejtim të kundërt dhe të kalojë lumin, si pjesë e operacioneve të saj në frontin jugor. Marrja e kontrollit të centralit bërthamor të pushtuar nga Rusia do të ishte një fitore e madhe në kundërofensivën ukrainase, që ka nisur muajin e kaluar.
Banorët e Nikopolit, të cilët nuk janë më të ndarë nga trupat ruse që mbajnë centralin bërthamor nga një sasi e madhe uji, kanë shumë frikë nga ta. Diga Kahovka është kryesisht bosh dhe niveli i ujit vazhdon të bie një muaj pas shkatërrimit së digës.
Roman Padolkin dhe Yuriy Obukhov, dy burra që po luanin shah në një lokal, thanë se çdo gjë është e mundur. Klientët e lokalit, shumica e të cilëve ishin të moshuar, po vështronin muret e gjelbërta dhe zhvillonin biseda të shkurta.
Padolkin, një banor nga Hersoni, në jugperëndim të Ukrainës, u zhvendos në Nikopol pasi banesa e tij u shkatërrua nga një sulm ajror rus pas çlirimit të qytetit nga forcat ukrainase tetorin e kaluar.
“Nuk e di ku të ik apo ku të mbahem”, tha ai, duke shtuar se “fitorja më e madhe e Putinit është se unë nuk mund të laja enët për tre javë ose të pastroja tualetin në banesën time”.
Obukhov tha se shpresonte që fatkeqësia nuk do të ndodhte, duke sugjeruar se Rusia mund të jetë e kujdesshme për shkaktimin e një rrjedhje rrezatimi sepse “era që fryn nuk ka as armiq dhe as aleat”.
Sipas ekspertëve, erërat në zonë fryjnë në juglindje, që do të thotë se çdo rrjedhje e rrezatimit nga uzina mund të shkojë direkt në pozicionet e trupave ruse dhe në qytetin rus të Rostov-on-Don.
“Por, dëmtimi i digës e la Krimenë pa ujë dhe përmbyti të dy brigjet”, shtoi Padolkin duke iu referuar pasojave shkatërruese të shkaktuara nga përmbytjet në zonat e pushtuara nga Rusia në jug të Ukrainës.
“Kjo nuk është një lojë shahu, por një çmenduri”, tha ai.