KFOR-i ka sqaruar për medie se përdorimi i të gjitha kategorive të dronëve, duke përfshirë “Bayraktar TB-2”, bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se komandanti i KFOR-it, ka autoritetin parësor për hapësirën ajrore mbi Kosovë.

KFOR-i ka sqaruar se mbetet në pritje nga institucionet e Kosovës që të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese. Sipas tyre, KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e FSK-së në shuarje të zjarreve, asgjësim të mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme.

“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet në komunikatën e KFOR-it. /Kosovatimes/